Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të premten në mesnatë masat për përballje me krizën ekonomike, ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e karburanteve, si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind.
Është miratuar edhe ligji për uljen e TVSH-së për ushqimit bazë në 0 për qind.
Ligjet janë miratuar me 95 vota nga deputetët e të gjitha partive politike.
Një litër dizel në Maqedoninë e Veriut të premten është shitur për 97 denarë (1.57 cent) ndërsa benzina për 93 denarë (1.51 cent).
Për herë të parë çmimi i naftës ka kaluar atë të benzinës.
Çmimi i tyre pritet të ulet për 10 denarë (0.16 cent) me miratimin e ligjeve dhe publikimit të tyre në Gazetën Zyrtare.
Masat parashohin mbajtjen nën kontroll edhe të çmimit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes qendrore si dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të premten ka vendosur të ndalojë për dhjetë ditë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.
“Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor dhe mbrojtja e qytetarëve në kohë krize”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Jo-zyrtarisht vendimi ndërlidhet me njoftimet se sasi të mëdha të grurit janë eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë sasi të mëdha të vajit vendor, të llojit Briliant.
Çmimi i vajit në Maqedoninë e Veriut arrin në 1.80 euro.


