Lajme

Baerbok: “Kosova dhe Serbia duhet të tejkalojnë dallimet me qasje të guximshme dhe pragmatike”

03/10/2022 10:25
nga:Astrit Gashi

Tmerret e luftës, të cilat po i shohim në Evropë, askush nuk i di më mirë se sa njerëzit e Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbok.

Në kuadër të vizitës së saj dyditore në Ballkanin Perëndimor, Baerbok do të vizitojë sot Sarajevën dhe Prishtinën, ndërsa nesër do të qëndrojë për vizitë në Beograd.

“Pamjet e familjeve të cilat po arratisen nga lufta dhe pamjet e qyteteve ukrainase të kapluara nga zjarri, të gjitha këto pamje zgjojnë kujtimet për momentet më të errëta, kur lufta la gjurmë të dhimbshme në Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht këto pamje na tregojnë se paqja e sotme në Ballkan ndoshta nuk është e përkryer, por është me vlerë për nënat dhe baballarët fëmijët e të cilëve mësojnë sot në shkollat në Sarajevë, Prishtinë dhe Sarajevë, në vend se të vdesin si ushtarë në front”, theksoi Baerbok.

Ajo më tutje shtoi se kjo paqe ka një vlerë të madhe për Evropën, ngase pa paqe në Ballkanin Perëndimor nuk ka stabilitet në Evropë.

“Cicërimat dhe pllakate me të cilat lartësohen krimet e luftës. Debatet e ashpra rreth çështjeve statusore të cilat rrezikojnë të përshkallëzohen. Zyrtarët politik, të cilët përpiqen të rrënojnë integritetin e një shteti të tërë, ngase një gjë e tillë shkon në favor të interesave të tyre personale. Të gjitha këto gjëra i shkaktojnë dëm jo vetëm Ballkanit Perëndimor, por të gjithë neve në Evropë”, ka nënvizuar Baerbok.

“Për këtë arsye është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë disa aktorë të caktuar në Bosnje dhe Hercegovinë që me fjalët dhe veprat e tyre plotë urrejtje të destabilizojnë shtetin e tyre, ngase kjo do të rrezikonte tërë rajonin. Sa i përket dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, këtu që të dy palët, në mënyrë të guximshme dhe pragmatike, duhet të tejkalojnë qëndrimet e tyre të deritanishme”, theksoi Bearbok.