Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, ka takuar sot në Beograd komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ferenc Kajari.
“Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta të Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it për ruajtjen dhe përmirësimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
“Duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes ushtarako-teknike, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë theksoi se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e popullatës në Kosovë, lirinë e lëvizjes dhe mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore, historike dhe fetare serbe dhe është i vetmi aktor legjitim i sigurisë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Siç theksohet mëtutje në kumtesë, “Gjenerali Kajari ishte në Beograd me ftesën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Milan Mojsiloviq, dhe u nënvizua se takime të tilla të nivelit të lartë kontribuojnë në përmirësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë në terren dhe sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.


