Lajme

HRW lavdëron përgjigjen e BE-së ndaj refugjatëve ukrainas

03/09/2022 09:37
nga:Astrit Gashi

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, ka thënë se solidariteti dhe empatia e Bashkimit Evropian për njerëzit që po i ikin luftës në Ukrainë, janë të mrekullueshme.

Judith Sunderland, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, ka përmendur sesi shtetet kanë hapur dyert për refugjatët dhe janë ngutur për të dërguar ushqim për ta.

“Bashkimi Evropian, si bllok, ka vepruar shpejt për t’iu garantuar mbrojtje të gjithë ukrainasve dhe ka aktivizuar për herë të parë një direktivë të vitit 2001, e cila ka krijuar mekanizma që njerëzit të qëndrojnë, punojnë dhe fëmijët të shkollohen brenda BE-së, pa vonesa dhe procedura burokratike”, tha Sunderland.

Megjithatë, Sunderland ka pyetur pse nuk është aktivizuar kjo direktivë më 2015, kur më shumë se një milion sirianë, afganë dhe irakianë kanë arritur në brigjet evropiane.

“Mos harroni që edhe kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit vitin e kaluar, retorika evropiane ka qenë për të mbajtur afganët në rajon, dhe jo për të zgjatur dorën e sigurisë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, tani është koha që BE-ja të ndryshojë politikat e azilit dhe migracionit, të cilat sipas HRW-së diskriminojnë në mënyrë jo-propocionale personat me ngjyrë.

“Kjo krizë na ka treguar se Evropa mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme, nëse tenton”, ka thënë mes tjerash Sunderland.