Lajme

Mbi 1200 civilë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë

03/08/2022 14:38
nga:Astrit Gashi

Mbi 1,200 civilë janë vrarë ose plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ka njoftuar sot Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ky numër, sipas tyre, përfshin 406 njerëz të vrarë dhe 801 të plagosur.

Megjithatë, zëdhënësja e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, paralajmëroi se shifrat “mund të jenë shumë më të larta”.
Shumica e lëndimeve janë rezultat i “sulmeve ajrore dhe i të shtënave me armë”, njoftoi OKB-ja.

Raportohet se një gazetar është vrarë.

OKB-ja shprehu gjithashtu shqetësim për, siç tha, “ndalimin arbitrar” të mbështetësve pro-ukrainas në zonat që kontrollohen nga ushtria ruse, si dhe për “dhunën” kundër atyre që konsiderohen si pro-rusë në territoret e kontrolluara nga Qeveria ukrainase.

Më herët, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë, ka kaluar shifrën prej dy milionë.

Grandi tha se për krahasim, luftërat ballkanike në Bosnje dhe Kosovë kanë shkaktuar dy-tre milionë të zhvendosur, por “në një periudhë prej tetë vjetësh”.