Komiteti Ekzekutiv i FFK nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, e ka mbajtur dje mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje KE vendosi që në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për kryetar, përcjell GazetaBlic Sport.
Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë.
Shpallja e zgjedhjeve është e rregulluar me nenin 28 tek statui i FFK-së.
Megjithatë, sipas njohësve të ligjit ky vendim nuk është në përputhje të plotë me aktin më të lartë rregullues të FFK-së- statutin.
Kjo për shkak se në pikën 3 të nenit 39-të, thuhet se kandidatët për Kryetar të FFK-së, duhet që së paku dy muaj përpara datës së zgjedhejve të propozohen nga anëtarët e saj, kjo pasi që të sigurohen 15 nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së.
Fakti që zgjedhjet janë shpallur me datë 6 prill, nënkupton që kandidatët nuk kanë në asnjë mënyrë hapësirë kohore për ta respektuar këtë afat, duke ditur se jemi vetëm rreth një muaj e pak ditë larg këtij Kuvendi të Rregullt Zgjedhor.
GazetaBlic Sport ka kontaktuar me avokatin, Selim Selimi, i cili ka thënë se me faktin që Kuvendi i thirrur nga ana e FFK-së është Kuvend i Rregullt Zgjedhor, atëherë nenet e tjera të statutit janë të implikueshme në të.
Kjo nënkupton që neni 39.3 do të duhej të ishte i vlefshëm, nen ky që qartazi kërkon që kandidatët për Kryetar, duhet që së paku dy muaj para datës së zgjedhejve të propozohen nga anëtarët e saj.
“Thirrja e Kuvendit të Rregullt në baze të Statutit të FFK-së, rregullohet me nenin 28. Në bazë të njoftimit të FFK-së, ky Kuvend është thirrur si Kuvend i Rregullt Zgjedhor, që implikon edhe nenet tjera relevante me zgjedhjet në FFK. Nëse ky Kuvend Zgjedhor është thirrur për zgjedhjen e Kryetarit, atëherë medoemos lidhet neni 39.3, neni që parasheh shprehimisht proceduren e kandidimit. Aty ceket se kandidati për Kryetar të FFK-së propozohet nga 15 nënshkrime të delegatëve legjitim, 2 muaj para mbajtjes së Kuvendit të Rregullt Zgjedhor. Pra, për zgjedhjen e Kryetarit të FFK-së në Kuvend të Rregullt Zgjedhor, ashtu siç ka njoftuar FFK, duhet të jepet afati 2 mujor për propozime të kandidatëve me të dhënat e nevojshme. Kjo gjithnjë sipas Statutit si akti më i lartë rregullues i punës së FFK-së”, tha Selimi.
GazetaBlic Sport ka kontaktuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri më tash nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Por institucioni më i madh i futbollit kosovar dje lëshoi një komunikatë, ku ka kundërshtuar raportimet e mediave.
Sqarim rreth dezinformatave të qëllimshme në lidhje me Kuvendin e rregullt zgjedhor të FFK-së