Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë, raporton GazetaBlic.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu përmes një shkrimi në “Facebook” ka komentuar këtë fond.
Kryeziu e ka vënë në pikëpyetje Fondin e Sigurisë së Kosovës ku shprehet se në këtë situatë në të cilën është krijuar duket se më shumë dërgon një mesazh pasigurie sesa një veprim sigurie.
Në anën tjetër ai thotë se vendimi i Kryeministrit, mund të konsiderohet si uzurpim i përgjegjësive të Kuvendit dhe si vendim antikushtetues.
SHKRIMI I PLOTË:
Fondi i Sigurisë, në situatën në të cilën është krijuar duket se më shumë dërgon një mesazh pasigurie sesa një veprim sigurie ?! Përjashto këtë anë.
Vendimi i Kryeministrit, mund të konsiderohet si uzurpim i përgjegjësive të Kuvendit dhe si vendim antikushtetues. Për t’i shmangur këto diskutime, do të ishte shumë më mirë dhe plotësisht në përputhje me kushtetutën që ky propozim të shkojë në Kuvend, dhe më pas kjo çështje të rregullohet me ligj.
Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndër të tjera, thekson se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe një nga pesë vendet e vetme në Evropë që gjatë periudhës së pandemisë nuk i transferoi kompetencat vendimmarrëse tek ekzekutivi por i mbajti në Kuvend. Nëse kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarrë veprime regresive.
/GazetaBlic/


