Komiteti Ekzekutiv i FFK nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje KE vendosi që në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për kryetar, përcjell GazetaBlic Sport.
Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë.
Megjithatë, duket se ky vendim nuk është në përputhje të plotë me statutin e institucionit më të lartë të futbollit në vend, FFK-së.
Kjo për shkak se në pikën 3 të nenit 39-të, thuhet se kandidatët për Kryetar të FFK-së, duhet që së paku dy muaj përpara datës së zgjedhejve të propozohen nga anëtarët e saj, kjo pasi që të sigurohen 15 nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së.
Fakti që zgjedhjet janë shpallur me datë 6 prill, nënkupton që kandidatët nuk kanë në asnjë mënyrë hapësirë kohore për ta respektuar këtë afat, duke ditur se jemi vetëm rreth një muaj e pak ditë larg këtij Kuvendi të Rregullt Zgjedhor.
GazetaBlic Sport do të kontaktojë edhe FFK-në për të marrë një vendim nga ana e tyre në lidhje me këtë çështje dhe shpalljen e zgjedhjeve për Kryetar të këtij institucioni.
/GazetaBlic Sport/