Qytetarët amerikanë nuk duhet të kenë frikë nga lufta bërthamore, tha sonte presidenti i SHBA-së, Joe Biden, një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi që forcat ruse të parandalimit, të cilat përfshijnë armë bërthamore, të vihen në gatishmëri të lartë.
Teksa Biden u largua nga një event i mbajtur në Shtëpisë së Bardhë, ai u pyet nga mediat nëse amerikanët duhet të shqetësohen për mundësinë e një lufte bërthamore, për të cilën presidenti u përgjigj “jo”, transmeton Independent.
Më herët, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se në këtë moment nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar nivelin e gatishmërisë bërthamore.
“Ne nuk e kemi ndryshuar statusin dhe vlerësimin tonë në këtë drejtim, por duhet të jemi vigjilentë për shkak të kërcënimeve të Putinit”, tha Psaki për MSNBC.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi më parë se forcat bërthamore dhe flota veriore dhe e Paqësorit janë në një gjendje të gatishmërisë luftarake të shtuar.
Biden diskutoi me aleatët dhe partnerët e SHBA-së gjatë ditës, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i paemëruar, tha për Reuters se lufta bërthamore nuk duhet të bëhet kurrë, pasi aty nuk ka fitues dhe se Putini po e përshkallëzon situatën me retorikë të rrezikshme.