Lajme

Kurti: Projektligji për Byronë Shtetërore nuk e cenon pavarësinë e pushteteve

02/24/2022 11:07
nga:N M

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore nuk e cenon pavarësinë e pushteteve. Ai tha se ligji përcakton kthimin e pasurisë te pronari legjitim, Republika e Kosovës.

Kurti në seancën plenare ku po diskutohet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se për dy dekada ka sunduar paligjshmëria dhe rritja e kriminalitetit.

“Ka vite që jemi pajtuar të gjithë që korrupsioni ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm. Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria. Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetin janë pasuruar. Byroja Shtetërore do të jetë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që i mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, tha ai.

Kurti theksoi se përmes këtij projektligji “në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’.

Kryeministri Kurti i ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votohet ky projektligj.“Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë dhe miratimi i këtij projektligji na hap rrugë për të vepruar në pajtim me zotime e dhëna para qytetarëve”, tha Kurti. EO

Kurti: Ditë tragjike për Evropën dhe jo vetëm, kemi analizuar situatën në Këshillin e Sigurisë së Kosovës