Lajme

Ukrainasit ikin nga Donbas

02/23/2022 22:13
nga:Q R

Nëpër disa rrugë të Donetskut u pa një kolonë e gjatë me automjete ushtarake, të mërkurën në mëngjes.

Por asnjëra nga ato nuk ishte e identifikuar me ndonjë simbol të shtetit të Rusisë, ani që, siç thuhet, janë të njëjta me makineritë militare të shtetit në fjalë.

Automjete të tilla ushtarake, por jo kaq shumë, janë parë edhe më herët në pjesë të këtij territori, që të hënën u njoh si shteti i pavarur nga Moska zyrtare.

Teksa prania militare është shtuar, fshatrat me banorë ukrainas janë zbrazur.

Ata ikën për shkak të bombardimeve e luftimeve të ashpra të forcave qeveritare nga Kievi me ato separatiste, të mbështetura nga Rusia.

Megjithatë, një 83-vjeçare nuk deshi të largohet nga zona ku jeton.

“Kush na do neve? Ku mund të jetoj? Unë kam lindur këtu, jam pagëzuar këtu, fëmijët e mi janë nga këtu. Ku duhet të shkoj? Nuk kam frikë nga asgjë – nëse më vrasin kështu qoftë, e vetmja gjë që dua është që kjo të ndodhte shpejt”, tha ajo.

Shtimi i makinave të mistershme në rajonin e Donbasit, që përfshin Donetskut dhe Luhanskin, krahinat që Rusia i njohu si shtete të pavarura, sipas një majori të ushtrisë ukrainase nënkupton se tentimi i Moskës për ta pushtuar Ukrainën, është i pashmangshëm.

“Mendoj se rezultati më i dukshëm është se ata do të pushtojnë Ukrainën dhe zonat e gjithë këtyre kufijve administrativë”, deklaroi Pavlo Yurchuk, major i ushtrisë së Ukrainës.

Moska mohon se ka dërguar forca në Donbas, ani se Kievi pretendon që ka shumë dëshmi të cilat tregojnë për përfshirjen e forcave ruse në konfliktin e Ukrainës Lindore, që la të vdekur mbi 14 mijë persona, që nga nisja e tij, më 2014.