Kremlini ka thënë se nuk ka “plane konkrete” për një samit mbi Ukrainën midis presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitri Peskov, tha se Putin dhe Biden mund të takohen nëse e konsiderojnë të nevojshme, por theksoi se “është e parakohshme të flasim për plane specifike për një samit”.
Ai gjithashtu e përshkroi situatën në rajonin e Donbasit të Ukrainës si “jashtëzakonisht të tensionuar”, duke shtuar se Putini do t’i drejtohej së shpejti Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
“Situata është vërtet jashtëzakonisht e tensionuar dhe deri më tani nuk shohim shenja të uljes së nivelit të tensionit. Provokimet dhe granatimet po bëhen gjithnjë e më intensive, sigurisht që kjo shkakton shqetësim shumë të thellë”, citohet të ketë thënë Peskov.
Pavarësisht pretendimeve të përsëritura ruse, gazetarët në terren nuk kanë parë asnjë provë të granatimeve nga forcat ukrainase ndaj popullatës lokale.