Lajme

Ismaili flet për pamjen e re të monumentit “Newborn”

02/17/2022 12:25
nga:Q R

Në ditëlindjen e 14 të pavarësisë së Kosovës, monumenti “Newborn” ka marrë pamje të re. Kësaj radhe mesazhi i monumentit u dedikohet grave.

Ideatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, për KosovaPress tregoi se mesazhi këtë vit ka të bëjë me sukseset e mëdha të grave por edhe abuzimet që ju bëhen atyre.

“Njëra është sukseset e mëdha të çikave të Kosovës, si në sport, muzikë, film, të cilat kanë qenë shumë të vrullshme këtë vit, por edhe lajmet që i dëgjojmë për abuzimin e gruas, për vrasjet e grave, për burrat që lirohen para kohe që nuk i mbajnë dënimet, të cilat i meritojnë kur vrasin gra, dukuria e shëmtuar e një sistemi, një shoqërie patriarkale në të cilën jetojmë, dhe titullohet ‘Winged Women’, që do të thotë ‘Gratë me krahë’. Ideja është m’i tregu, me u mundu ta vetëdijësojmë këtë shoqëri që grave iu duhen krahë me i përkrahë, m’i ngrit, m’i rritë, se ato bëhen gra të suksesshme që na zbardhin fytyrën nëpër botë e që na si shoqëri nuk i respektojmë, nuk i trajtojmë aq sa e meritojnë”, tha ai për KosovaPress.

Ismaili po ashtu tha që këtë vit ka qenë më i lehtë realizimi i monumentit.

“Sivjet moti ka marrë shumë më i mirë edhe kur jemi me kohë dhe përgatitemi, tash ja kemi marrë dorën se janë bërë do vjet, i realizojmë më shpejtë”, tha Ismaili.

E ata që i gëzohen Festës së Pavarësisë padyshim se janë qytetarët. Këta të fundit nuk munguan as sivjet tek monumenti “Newborn”, i cili tashmë ka marrë pamje të re.

Kështu, Valentina Bibaj tha që ndihet shumë e kënaqur me mesazhin që “Newborn” përçon sivjet.

“Po më pëlqen shumë, jam shumë e kënaqur që më në fund e ka bërë një mesazh që ka të bëjë direkt me gratë se besoj që shoqëria jonë ka nevojë hala për më shumë mbështetje ndaj grave, që gruaja me u avancu dhe me mbërri barazinë gjinore që na ka munguar ndër shekuj ndoshta”, tha Bibaj.

Opozita lëshon sallën e Kuvendit gjatë fjalimit të Kurtit në seancën solemne