Sporti

Reagon Tahir Batatina: Nëse fusha në Gjilan nuk është në gjendje të mirë, do kërkojmë të mos luajmë!

02/15/2022 16:46
nga:Mergim Rreci

Drita dhe Llapi do të përballen në derbin e madh të kësaj fundjave në Superligën e Kosovës në futboll.

Ky takim do të zhvillohet ditën e shtunë në ora 13:00.

“Intelektualët” triumfuan me goleadë ndaj Feronikelit, kurse Llapi u rikthye të luajë në “Zahir Pajaziti”, atje ku triumfoi ndaj Ulpianës.

Stadiumi i Qytetit në Gjilan nuk ishte në gjendje të mirë, andaj Drita e zhvilloi ndeshjen e javës së kaluar në stadiumin e Ulpianës, “Sami Kelmendi”.

Valon Zymberi, drejtori sportiv i Dritës, ka konfirmuar për ‘GazetaBlic Sport’ se derbi ndaj Llapit do të luhet në stadiumin e Gjilanit. Ai tha se edhe zyrtarisht tashmë kjo çështje është e kryer.

Megjithatë, ‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar edhe trajnerin e Llapit, Tahir Batatinën, i cili kishte dyshimet e tij për këtë vendim.

“Komisioni për pranimin e fushave para dy ditësh kur ishin për ta inspektuar fushën tonë thanë se fusha në Gjilan është në gjendje shumë të keqe dhe se nuk mund të luhet atje nga asnjëra nga dy skuadrat e atij vendi. Nëse ata kanë arritur që brenda dy ditëve t’i përmirësojnë ato kushte, atëherë ajo është diçka tjetër. Megjithatë, nëse fusha nuk është me parametrat e duhur, ne do të kërkojmë që në atë fushë të mos luajmë“, tha Batatina.

/GazetaBlic Sport/