Mes protagonistëve të mundshëm të ndeshjes mes Interit dhe Liverpoolit të planifikuar për nesër në ‘Meazza’ është edhe Lautaro Martinez.
Sulmuesi argjentinas ka folur për Prime Video, ku ka thënë se ballafaqimi do të jetë i mrekullueshëm – teksa shpreson se do të shënojë, përcjell GazetaBlic Sport.
“Do të jetë një lojë e mrekullueshme për të luajtur. Shpresoj të bëj mirë, t’i jap një dorë ekipit që të mund të ecim përpara, që është ëndrra jonë. Klopp është një trajner i madh, sigurisht që ai ka përgatitur mirë ekipin për këtë ndeshje”, tha fillimisht Lautaro Martinez.
“Liverpooli ka shumë lojtarë të fortë: duhet të punojmë në fazën e posedimit, sepse do të jetë e rëndësishme. Ata sulmojnë me shumë lojtarë, luajnë me sulmues shumë të shpejtë dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Interi dëshiron të jetë protagonist, dëshiron të mbajë topin, të sulmojë, të mbrojë mirë portën dhe të lëndojë kundërshtarin”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


