Skuadra e Gjilanit ka barazuar ndaj Drenicës me rezultatin 1-1 në ndeshjen e së shtunës, e cila ishte e vleshme për xhiron e 19’të të Superligës së Kosovës në futboll.
Në këtë ndeshje, në 10 minutat e fundit të ballafaqimit kishte probleme me transmetimin, pasi në stadiumin “Bajram Aliu” u ndal rryma dhe shikuesit në ekranet e tyre nuk mund ta shikonin ballafaqimin, shkruan GazetaBlic Sport.
Në këtë sfidë, Drenica luajti 20 minuta me një lojtar më pak, pasi Fatlum Gashi u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes në Gerhard Prognin.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku me ironi ka theksuar se po të ndalej rryma dy minuta më herët, Gashi nuk do të ndëshkohej me të kuq, pasi ai u përjashtua pas rishikimit me VAR.
“Realisht, do të ishim me fat nëse do të ndalej rryma dy-tre minuta më herët, për shkak se do të shpëtonte Gashi nga ndëshkimi me karton të kuq, sepse u ndëshkua nga VAR’i. Në 10 minutat e fundit, jemi mbrojtë – kemi kriju dy raste me kundërsulme të shpejta. Gjilani nuk ka mundur të krijojë asnjë rast, vetëm disa gjysmëraste dhe rezultati real ishte barazimi”, tha Tahir Lushtaku për Ekipin A.
/GazetaBlic Sport


