Nesër do të fillojë “Final8” Kupa e Kosovës në nder të Agim Llukës. Kjo garë pritet të jetë mjaft interesante – me tetë skuadrat më të mira të basketbollit kosovar që do të konkurrojnë.
Tek skuadra e KB Pejës janë super të motivuar për këtë garë, pasi ky event do të mbahet në Palestrën “Karagaçi”, që është edhe shtëpia e tyre, shkruan GazetaBlic Sport.
Basketbollisti i Pejës, Daniel Lekndrejaj thotë se janë përgatitur maksimalisht për Kupë.
“Për çdo ndeshje ne përgatitemi fortë që të japim maksimumin. Padyshim që edhe për garën për Kupë jemi përgatitur shumë më shumë. Për më tepër që kjo garë mbahet për nder të Agim Llukës”, tha fillimisht Daniel Lekndrejaj për ‘GazetaBlic Sport’.
“Objektivat tonë janë të fitojmë çdo Kupë të mundur, kshtuqë patjetër që është një objektiv kryesor për ne”, vazhdoi ai.
“Tifozëve i premtojmë që do të japim maksimumin që Kupa të vijë në shtëpinë tonë. Jam shumë i sigurtë që edhe me ndihmën e tyre do t’ia arrijmë këtë gjë”, përfundoi basketbollisti i njohur i Pejës.
Ndeshja e parë e Pejës do të zhvillohet nesër ndaj Sigal Prishtinës nga ora 20:00.
/GazetaBlic Sport/


