Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk e kupton se si diplomacia kosovare dhe krerët e shtetit nuk reagojnë në mbrojtje të figurës së Xhafer Devës, ish-politikanit të njohur shqiptar.
Pacolli thotë se Deva ishte bashkëpunëtori i SHBA-së në luftën kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai po ashtu shton se nuk ka asnjë fakt që Deva apo njësitet e tij kanë kryer krime ndaj komuniteteve tjera në trojet shqiptare, duke përfshirë komunitetin hebre.
Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.



