Lajme

Një grua, kandidate për Presidente e Italisë

01/28/2022 15:08
nga:Y I

Vazhdon e ethshme gara presidenciale në Itali. Në ditën e pestë të votës për garën Presidenciale, qëndra e djathtë italiane ka propozuar një kandidate femër, kryetaren aktuale të Dhomës së Senatit Italian, Elisabeta Casellati, personi i dytë më i rëndësishëm institucional i vendit, pas figurës së Presidentit.

Përmes liderit të Partisë Lidhja, Matteo Salvini, partitë e djathta italiane kanë informuar se sot të do të votojnë bashkarisht kandidaturën e Elisabeta Casellatit.

“Një grua në Presidencë është një nder të propozohet e Casellati është një figurë e profilit të lartë e një zgjedhje e përgjegjshme. Kush nuk merr pjesë në këtë votim i bën dëm veç institucioneve italiane” ka deklaruar Matteo Salvini pak para se të nisë votimi.

Pas katër votimeve të shkuara nul, tashmë mjafton mazhoranca absolute prej 505 votash për të zgjedhur Presidentin e ri të Italisë.

Gjithnjë e në rritje janë votat për rizgjedhjen në një mandat të dytë të Presidentit Sergio Mattarella, i cili dje ka marrë mbi 150 vota edhe pse ka qënë i qartë për të mos pranuar këtë hipotezë.

Partia Demokratike, Lëvizja 5 Yje e Partia Liberi e Uguali, me një komunikim mediatik të përbashkët janë shprehur se gjatë votimit të sotëm do të abstenojnë, pasi e konsiderojnë kandidaturën e Elisabeta Casellatit të gabuar, dhe e propozuar vetëm nga një krah politik e vetëm një orë para se të niste votimi.

Nuk i janë përgjigjur këtij votimi as senatorët e Partisë Italia Viva me lider ish-kryeministrit Matteo Renzi e me shumë gjasa që dhe kjo ditë e sotme, me përjashtim të një kandidature surprizë, do të mbyllet pa një rezultat.

Në mbrojtje të kandidaturës së Elisabeta Casellatit si Presidente e ardhshme e Republikës, është shprehur dhe ish- kryeministri SilvioBerlusconi, i cili me një postim në rrjetet social ka shkruar se “Casellati është një figurë mbi palët e që i gjithë parlamenti duhet ta votojë”.

Pas abstenimit të votës nga partitë e majta, Giorgia Meloni, lider i Partisë Fratelli d’Italia është shprehur se “me këtë parlament nuk vendoset asgjë dhe e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. Ajo e gjen të papranueshme që Lëvizja 5 Yje të abstenojë në votimin e kandidaturës së propozuar nga qëndra e djathtë.

“Casellati është një figurë e cila është votuar nga Lëvizja 5 Yje për t’u zgjedhur si Kryetare e Parlamentit e është numri 2 më i lartë i shtetit. Është një propozim absolutisht institucional e çfarë i pengon të thonë jo? Të thuash jo për këtë kandidaturë është sikur t’i thuash jo çdo kandidature jo të majtë për të qënë Presidenti i ri i Republikës” ka deklaruar ajo.

Po kush është Elisabeta Casellati?

76-vjeçarja Maria Elisabeta Alberti Casellati me profesionin avokate është një nga themelueset më 1994 e Partisë Forza Italia e liderit të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Ajo u zgjodh menjëherë senatore e u rizgjodh dhe në legjislaturat e viteve 2001, 2006, 2008 e 2013.

Ka qenë nënsekretare e shtetit për Shëndetin gjatë viteve 2004-2006, nënsekretare e shtetit për drejtësinë gjatë viteve 2008-2011.

Më 2014 u zgjodh anëtare e Këshillit Suprem të Magjistraturës, anëtare e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, Komisionit të Çështjeve të drejtësisë në Senatin italian, komisionit të Çështjeve të Punës e prej 24 marsit 2018 është zgjedhur Kryetare e Dhomës së Senatit Italian e figura e 2 më e lartë e shtetit pas Presidentit të Republikës.