Lajme

Izraeli rekomandon dozën e katërt e vaksinës për të gjithë të rriturit

01/25/2022 13:31
nga:Y I

Një panel ekspertësh ka këshilluar të martën Qeverinë e Izraelit që të nisë ofrimin e dozës së katërt të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.

Ky panel ka bërë këtë rekomandim duke u bazuar në të dhënat që tregojnë se doza e katërt parandalon sëmurjen e rëndë nga ky virus.

Komiteti këshillues ka thënë se të dhënat tregojnë që doza e katërt ofron tre deri në pesë herë më shumë mbrojtje kundër sëmurjes së rëndë dhe dyfish më shumë mbrojtje kundër infektimit, në krahasim me tri doza.

Ministri i Shëndetësisë duhet të miratojë këtë rekomandim, në mënyrë që të zbatohet.

Izraeli veçse është duke ofruar dozën e dytë përforcuese për secilin person mbi moshën 60-vjeçare dhe për ata që janë më të cenueshëm ndaj koronavirusit.

Ky shtet ka ofruar dozën e tretë të vaksinës për popullsinë e përgjithshme, qysh në verën e kaluar.

Të dhënat nga Ministria izraelite e Shëndetësisë kanë treguar se aktualisht në këtë shtet janë 580,000 raste aktive me koronavirus, mirëpo vetëm 845 konsiderohen të sëmurë seriozisht.

Gati gjysma e popullsisë ka pranuar dozën e tretë dhe më shumë se 600,000 kanë marrë të katërtën.

Izraeli ka raportuar 8,487 vdekje prej shpërthimit të pandemisë.

/TCH/

Masat e reja anti Covid- paralajmërohen protesta dhe padëgjueshmëri qytetare