Komiteti Ekzekutiv në FSHF ka vendosur datën 2 mars, datë kjo në të cilën do të mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore.
Megjithatë, nga ky moment një tension i madh ka “shpërthyer” në Shqipëri, atje ku dy grupe të forta po kërkojnë që të udhëheqin me mandatin e ri në institucionin më të lartë të futbollit.
Interesant është fakti se brenda kësaj gare është përfshirë fuqishëm edhe Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, i cili po e “lufton” rizgjedhjen e presidentit të tanishëm, Armand Dukës.
Kishte disa përgjime të publikuara ditën e djeshme, atje ku Veliaj shfaqet me një fjalor aspak të hijshëm, kurse në mbrëmje e gjitha përfundoi në mënyrën më të keqe, atje ku u sulmua me tritol shtëpia e Dukës. Veliaj madje e ka “dorëzuar” edhe në Prokurori dhe në SPAK, Dukën.
Në garën për president deri tani janë Armand Duka dhe Dritan Shakohoxha.
Gazetari i mirënjohur në Shqipëri, Klaudio Ndreca, ka folur për ‘GazetaBlic Sport’, në lidhje me zhvillimet e fundit, ku tha se situata duket alarmante.
Madje, ai tha se të thuash se klima është e tensionuar, ndoshta është pak dhe se po ofrohen madje edhe shuma si ajo 100 mijë eurove për tërheqje nga gara.
“Të thuash se klima është e tensionuar, ndoshta është pak. Jemi më shumë se një muaj larg zgjedhjeve dhe në këto 24 orë që lamë pas ka pasur më shumë zhvillime sesa në në të gjitha zgjedhjet e fundit të bëra bashkë për president të FSHF. Faktikisht, ne si media jemi sulmuar së fundmi menjëherë pas publikimit të skandalit teksa një biznesmen me bekimin e Veliajt kishte ofruar 100 mijë euro për tërheqjen nga gara të Alimehmetit. Të njëjtin fat e kishin edhe disa gazetarë që kanë dalë si zëra kundër të përfshirjes politike në zgjedhje, me mbyllje të llogarisë së tyre në Facebook. Dje u sulmua faqja zyrtare e FSHF dhe si për të përnbyllur dramën, ishte tritoli në banesën e Armand Dukës. Janë një seri ngjarjesh të frikshme dhe duhet dënuar ky lloj implikimi dhe dëshire që një parti të vendosi edhe për futbollin që do të na paraqitet, për teatrot që do shohim në shfaqje, pasi ka në dore jetët tona dhe di gjithçka për ne. Ishte po aq e frikshme teksa dëgjoje Veliajn të shprehej dje se kishte marrë parasysh edhe dënimin e UEFA me një përjashtim të mundshëm të Shqipërisë nga kompeticionet europiane, duke e quajtur vetëm si një goditje të marrë në këtë luftë. E nëse do të kuptonim shqetësimin e Veliajt duhet të themi se kryebashiaku i Tiranës ka folur pak për FSHF dhe kontrollin të saj, por shumë për familjen, bizneset dhe jetën private të presidentit të saj. Dje vetë SPAK ka mohuar se ka vendosur në hetim presidentin e FSHF duke thënë se nuk përdoren si mashë kërcënimi nga askush, pa pasur prova e dokumente, ndryshe nga çfarë u trumbetua nga Veliaj”, tha fillimisht Ndreca.

Më pas ai tha se nëse vazhdohet me këtë trend, Shqipëria dhe klubet e saj rrezikojnë dënim nga UEFA, dënim ky që do të mund të ishte i rëndë për futbollin shqiptar. Ndreca tha poashtu se Partia Socialiste po tenton me çdo kusht të fitojë të vetmen fushë ku deri tani nuk ka arritur të fitojë, në fushën e blertë.
“Jemi në fazën kur Duka kërkon mandatin e 6 dhe mandati i 5 ka qenë kulmi i karrierës së tij në këtë post. Me garën e thjeshtë në votime, duket e humbur për kandidatët e tjerë. Për këtë arsye gara tani i ka tejkaluar limitet dhe PS kërkon të vetmen fushë ku deri tani nuk ka arritur të fitojë, në fushën e blertë. Në interesin tonë është që kandidati që do të fitojë garën të ndjeki rrugën e zhvillimit të futbollit shqiptar. Nëse kthehemi hapa pas dhe pranojmë edhe dënime me heqje të ekipeve shqiptare nga Evropa apo që Kombëtarja të zhvillojë vetëm miqësore për hirë të dëshirës së madhe të Veliajt për të treguar forcën e tij në këto zgjedhje, është shumë. Brojës nuk mund t’ia mohojmë Evropianin dhe Botërorin vetëm sepse kryetari i Bashkisë Tiranës dëshiron që të fitojë X kandidat në FSHF, kurrsesi. E mos të harrojmë, po rrezikojmë shumë edhe për finalen e Conference League me këtë klimë“, përfundoi Ndreca me komentin e tij.

Kujtojmë se Duka është dhe presidenti aktual i FSHF-së. Ai ka në këtë post që nga viti 2002. Ndërsa, Shakohoxha është një nga gazetarët sportiv më të njohur në Shqipëri në vitet e fundit dhe tashmë duket se kërkon një hap tjetër në karrierën e tij.
/GazetaBlic Sport/


