Lajme

Haradinaj: Çmimi i energjisë është rritë aq sa as mafia energjetike nuk e ka pritë

01/18/2022 22:12
nga:Gazeta Blic

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar rreth kërkesës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se çmimi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë drastike.

“Çmimi i energjisë nuk është ngritë me 9% por është rritë aq sa as mafia energjetike nuk e ka pritë. Ndarja tarifore që nënkupton rritje minimale për shpenzuesit prej 600 kilovatë është mashtrim që nuk mbulohet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, ata që nuk i besuan kësaj radhe do të paguajnë nga xhepi i tyre.

“Që nga fillimi, kurrë nuk kemi pasë asnjë dilemë që gjithçka për çka qëndroi VV-ja dje, sot është mashtrim dhe demagogji në qeverisje. Ata që nuk na besuan, kësaj radhe do të paguajnë nga xhepi i tyre muajin e parë pas aplikimit të tarifave të reja. Rritja do të jetë shumë më e madhe për të gjithë që jetojnë në Kosovë, kurse banesat dhe shtëpitë e zbrazëta të diasporës sonë dhe mijëra apartamente të zbrazëta nuk do të mjaftojnë që të maskojnë dëmin që do të ketë xhepi i qytetarit”, ka shkruar tutje ai.