Lajme

Argëtimi që përfundoi në tragjedi, deklarohet Prokuroria për vrasjen e 30 vjeçarit

01/13/2022 10:02
nga:Gazeta Blic

Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e hetuar si vrasje nga pakujdesia incidentin që ndodhi mbrëmë në fshatin Pakashticë të Podujevës.

Një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur nga gjuajtja me armë gjueti.

Nga Prokurorisë Themelore në Prishtinë thonë se një 34 vjeçar është ndaluar për vrasje aksidentale dhe për mbajtje pa leje të armës.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores viktima është dërguar për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë çështje”, deklaroi Ulaj.

Sipas raportimeve të mediave, viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete dhe se vrasja dyshohet se ka ndodhur derisa burrat po bënin gjueti në male.