Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është nisur për në Hagë të Holandës, pas një vizite të shkurtër te familja e tij në Mitrovicë, si dhe te varri i nënës së tij, e cila vdiq të premten.
Nga Gjykata Speciale dje kanë dhënë një përgjigje lidhur me vizitën e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në vendlindje.
“Për shkak të arsyeve detyruese humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi Sekretarin që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për z. Veseli për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në mbajtje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kanë thënë nga Dhomat e Specializuara për Gazeta Express.
Veseli të hënën vizitoi fillimisht familjen e tij në Mitrovicë, ku para derës së shtëpisë po e priste bashkëshortja dhe fëmijët.


