Përkundër që ministria e Infrastrukturës, përmes një komunikate tha se janë duke u pastruar të gjitha rrugët nëpër Kosovë, një gjë e tillë nuk po ndodhë në njërën nga rrugët më të frekuentuara në vend – atë Prishtinë-Prizren.
Lexues të Gazeta Blic, kanë dërguar pamje aktuale nga kjo rrugë, e cila shihet se e tërë është bërë si të jetë akull, duke rrezikuar kështu vozitësit në komunikacion, që e përdorin këtë rrugë.
Shoferët janë ankuar për rrezikun që u kanosen nga gjendja e rrugës Prishtinë-Prizren.
Gazeta Blic ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, për t’i pyetur rreth kësaj gjendje, por që kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Në anën tjetër, mëngjesin e sotëm, shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Gëzim Osmani, ka thënë se gjendja në rrugët e vendit është e mirë.
“Sipas informatave nga menaxheret e regjioneve gjendja e rrugëve është e mirë. Kompanitë e kontraktuara nga ana e MMPHI-së kanë intervenuar gjatë tërë kohës në pastrimin e rrugëve. Në viset malore ngasja e automjeteve të jetë me kujdes të shtuar për shkak të kushteve atmosferike”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, vetëm në 24 orët e fundit në vend, janë shënuar 50 aksidente, ku njëri prej tyre ka qenë fatal. Siç bënë të ditur policia në aksidentin e ndodhur në Lupç të Podujevës kanë vdekur tre persona dhe janë lënduar nëntë të tjerë.
Sipas policisë dy persona kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse i treti ka vdekur në QKUK.
“Në rrugën nacionale Podujevë–Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale, në të cilin kanë qenë të përfshira tri vetura me targa vendore. Si pasojë e aksidentit dy meshkuj kosovarë kanë vdekur në vendin e ngjarjes dhe një tjetër gjatë trajtimit në QKUK, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar edhe 8 persona tjerë meshkuj, 7 prej tyre kosovarë dhe një shtetas i Austrisë. Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor, Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore dhe ndihmës së shpejtë ka dalë edhe prokurori i shtetit me urdhrin e të cilit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion”, njoftoi sot Policia.
Ndërkohë sipas të dhënave të Policisë 19 nga 50 aksidentet kanë qenë me të lënduar, kurse në 30 prej tyre është raportuar për dëme materiale.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e dytë e muajit janar do të kushtëzohet me kushte të paqëndrueshme meteorologjike.
Kjo situatë e motit sipas IHK-së do të krijohet për shkak të masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.
Temperaturat minimale për gjatë këtyre ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -8 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 3 gradë Celsius.
Në viset malore përveç reshjeve të dendura të borës parashihen temperatura më të ulëta për 3-5 gradë Celsius, varësisht nga lartësia mbidetare.