Lajme

“Saga” e takimeve Shqipëri-Kosovë gjatë shtatë viteve të fundit, çfarë u nënshkrua dhe çfarë u zbatua?!

01/04/2022 15:33
nga:Y I

Me 11 Janar të vitit 2014 u mbajt mbledhja e parë mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në qytetin historik të Prizrenit.

Kjo mbledhje e përbashkët u kryesua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe u cilësua historike pas ndodhi për herë të parë në historinë e dy shteteve.

Të dy kryeministrat Thaçi dhe Rama, nënshkruan “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje përfshinë fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

Të dy kryeministrat u pajtuan që të themelojnë edhe një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Një vit më pas u mbajt mbledhja e radhës mes dy qeverive asaj shqiptare dhe asaj të Kosovës, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Mbledhja u mbajt me 23 mars të vitit 2015 dhe u kryesua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa.

Në këtë takim u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle bashkëpunimi për lehtësim të tregtisë dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.

Mbledhja e tretë mes dy qeverive u mbajt në Prishtinë më 3 qershor të vitit 2016.

Ky takim u kryesua sërish nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa.

Në këtë mbledhje u firmosën marrëveshje që përfshijnë fushën e arsimit, ekonomisë, bujqësisë dhe turizmit.

Ndërsa mbledhja e katërt mes dy qeverive u zhvendos në qytetin e Korçës.

Kjo mbledhje e përbashkët mes dy qeverive u kryesua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky takim u mbajt me 27 nëntor të vitit 2017 në Korçë dhe më pas me datën 28 nëntor u zhvendos në qytetin e Vlorës për të shënuar 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Palët firmosën 12 marrëveshje e memorandume mirëkuptimi.

Vetëm një vit më pas, me 26 nëntor 2018 u mbajt mbledhja e radhës e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës në qytetin e Pejës.

Kjo ishte mbledhja e pestë në radhë dhe u kryesua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë takim u nënshkruan disa marrëveshje me të cilat brenda gjashtë muajve unifiohen doganat, hiqet romingu etj.

Marrëveshjtet e nënshkruara janë:

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming.

Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencive për pronësinë industriale.

Protokolli ndërmjet dy ministrive të Bujqësisë

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Marrëveshja për nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.

Nuk vonoi shumë dhe dy qeveritë, e Kosovës dhe e Shqipërisë, zhvilluan takimin e radhës.

Ky takim mbahej sërish nën patronazhin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Avdullah Hoti.

Mbledhja u mbajt me dy tetor të vitit 2020 në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Kjo mbledhje e cila ishte e gjashta në radhë, u mbajt nën moton “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij”.

Në këtë mbledhje dy qeveritë nënshkruan 13 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

Ato janë si më poshtë:
1. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;

2. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës për vlerësimin e krijimit të Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës;

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste Fatkeqësish Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;

4. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;

5. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;

6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës për Mobilitetin në Punë;

7. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës;

8. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për themelimin e Ligës së përbashkët të basketbollit, ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës;

9. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;

10. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës;

11. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës;

12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës;

13. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, në përballje me COVID-19

Me 26 nëntor të këtij viti u mbajt mbledhja e shtatë në radhë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndryshe nga Shqipëria e cila kryesohet sërish nga kryeministri Edi Rama, delegacioni i ministrave kosovar, në këtë takim kryesohej nga kryeministtri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim u mbajt në qytetin e Elbasanit.

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan edhe 13 marrëveshje të reja gjatë kësaj mledhjeje.

Megjithëse dy qeveritë, e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë zhvilluar shatë mbledhje me radhë gjatë viteve të fundit dhe kanë firmosur disa marrëveshje, shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në praktikë.

/Gazeta Blic/