Sporti

Ekskluzive| Krasniqi kërkohet nga Sheffield United dhe dy klube tjera – lojtari flet për karrierën e tij dhe kohën kur luante me Haaland

01/02/2022 15:28
nga:Lorik J

Futbollisti Kreshnik Krasniqi po vazhdon me paraqitje të mira në kampionatin norvegjez me skuadrën e tij, Stromgodset.

Krasniqi, 21 vjeçar është poashtu edhe pjesë e kombëtares U-21 të Kosovës, ku merr ftesë në çdo duel nga “Dardanët”, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë, Krasniqi në të kaluarën ishte pjesë e kombëtares norvegjeze U-16, ku kishte luajtur me yjet e sotëm të futbollit, përfshirë edhe sulmuesin e Dortmundit, Erling Haaland.

Krasniqi tregon se si u ftua tek kombëtarja U-16 e Norvegjisë dhe si luajti me Haaland dhe yjet e tjerë të Norvegjisë.

“Ata më thirrën për kombëtaren e Norvegjisë U16 për shkak të paraqitjeve të mia me klubin tim të mëparshëm, dhe më pas luajtëm së bashku me Haaland dhe lojtarë të tjerë cilësorë në ekipin kombëtar të të rinjve. Gjithçka po dukej mirë pas nënshkrimit me Godset dhe për fat të keq pak më vonë u lëndova dhe kjo është historia që lamë pas”. tha fillimisht Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.

Por, sulmuesi shprehet shumë i lumtur që sot luan me kombëtaren e vendit të tij, pra me Kosovën U-21.

“Tani jam në formë të mirë dhe jam kënaqur duke luajtur futboll të rregullt në një ekip të përbërë nga lojtarë cilësorë, shumë prej të cilëve tashmë përfaqësojnë Norvegjinë dhe unë me krenari përfaqësoj Kosovën u21”, tregon ai.

Në Norvegji, ai ka luajtur 20 ndeshje në këtë sezon, ku ka shënuar gol edhe ndaj kampionëve (Bodo Glimt) dhe ka asistuar ndaj nënkampionëve (Molde).

“Goli im kundër Bodo Glimt ishte vendimtar për të fituar një pikë të vlefshme kundër kampionëve dhe unë u konsiderova si një nga lojtarët më të mirë në atë ndeshje, së bashku me ndeshjen kundër nënkampionëve – Molde në një ndeshje që fituam me gol me diferencë të madhe dhe unë asistova. Këto dy janë ndoshta pikat kryesore të këtij sezoni”, thotë Krasniqi.

Në fund, Kreshnik Krasniqi zbulon ekskluzivisht se ka pasur oferta nga klube nga vende të ndryshme. Ai falë paraqitjeve që ka pasur ka përfunduar në radarin e Akhmat Grozny dhe Rostov, dy klubeve të mëdha në Rusi, ndërsa zbulon se ka interesim për të edhe nga Kroacia dhe Anglia.

Pas sezonit të mirë qe kisha, klubi dhe përfaqësuesit e mi më kanë njoftuar se në adresën e tyre kanë ardhur oferta dhe interesime te ndryshme nga Superliga Ruse (Akhmat Grozny, Rostov, e të tjera klube ruse), ka interesim të fortë në Kroaci pas ofertës që kishim muaj më parë nga Sibenik, dhe interesim vazhdon të ketë nga Anglia – ku më parë ishim në bisedime me Sheffield United. Kam edhe 1 vit kontratë me Godset dhe po vleresojmë opcionet më të mira, pa përjashtuar faktin se vazhdimi deri në verë në Norvegji më shkon për shtati dhe mund të zhvillohem dhe më shumë para hapit të radhës të rëndësishëm për mua. Më mbetet të vazhdojë të punojë shumë që të përmbush objektivat personale – profesionale”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/