Lajme

Eksperti gjerman i Kurtit kishte intervenuar edhe para dy vitesh në KEK

12/28/2021 19:38
nga:M K

Kontrata në mes Korporatës Energjetike të Kosovës -KEK dhe kompanisë gjermane “GE Power AG” është personifikuar si me “gjermanin”, i cili është duke asistuar në riparimin e turbinës në bllokun B2, i cili pritet të hyjë në funksion në fund të muajit janar. Kjo kompani ka realizuar disa kontrata me KEK-un, të cilat i ka edhe të “kushtëzuara”.

KEK ka lidhur kontratë për “Angazhimi i ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B2 në TCB”.

Kosova B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes së turbinës me datën 14 dhjetor.

Kontrata e lidhur peshon 248 mijë euro dhe ka validitet 21 ditë.

Ndonëse eksperti gjerman është vetëm duke asistuar tek inxhinieret e KEK për riparimin e turbinës, për herë të fundit, i njëjti person kishte intervenuar para dy viteve për rregullimin e turbinës, por në atë kohë defektet ishin shumë të mëdha.

“Punët për riparimin e turbinës së Bllokut B2”, quhej kontrata e negociuar me kompanitë “Alstom Power Service -Rep.Office in Kosovo; GE Power AG”.

Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 4.083.925,00. Kontrata ishte lidhur në mars të vitit 2019. Pas pesë muajve prokurimi i KEK ishte detyruar të lidh edhe një aneks kontratë më kompanitë e njëjta në emër të punëve shtesë, në vlerë prej 998.676,00 eurove.

“Për riparimin kapital te turbinës B2, si dhe duke pasur parasysh vëllimin e punëve te kryera deri me tani sipas kontratës ne fjale, tani shtrohet nevoja e domosdoshme për inicimin e aktivitetit të prokurimit për ekzekutimin e këtyre punëve shtesë me qëllim të eliminimit riparimit te defekteve te cilat janë vërejtur dhe te aftësimit të stabilimentit të turbinës së avullit për pune të mëtutjeshme si dhe të krijimit të kushteve për të vazhduar punët”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të kontratës.

Kontrata e parë bazë ishte lidhur vetëm pak muaj pasi KEK kishte shpenzuar 4.759.020,00 euro në emër të “Ekzekutimi i Punëve për remontin kapital të turbinës së Bllokut B2”, kontratë e cila ishte lidhur në gjysmën e vitit 2018. Remonti i turbinës së bllokut kishte shkuar nga gushti deri në tetor 2018.

“Duke patur parasysh se deri tani kemi një kontratë aktive për furnizim të pjesëve për riparim kapital të bllokut B2 dhe duke pasur parasysh se riparimi i fundit kapital i njësisë B2 është zbatuar në vitin 2011, ne po planifikojmë të kryejmë punët për riparim kapital për njësia b2, gjatë vitit 2018”, thuhej në përshkrimin e kontratës që e ka parë lajmi.net.

Nëpërmjet procedurave të negociuara, kontrata ishte lidhur më kompaninë nga Mannheim i Gjermanisë “GE Power AG”.

Lajmi.net nuk ka marr përgjigje gjatë ditës se sotme nga KEK-u lidhur me atë nëse ishte planifikuar që të shkonte në remont turbina e B2 gjatë këtij viti, apo në vitin e kaluar.

Po ashtu edhe turbina në TC A3 ishte riparuar vjet edhe parvjet.

Divizioni i Termocentralit “Kosova B” përbëhet nga dy njësi gjeneruese të njohura si njësia B1 dhe B2. Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, psh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH.

– Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca.

– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca.

Dy operatorëve ekonomik GE Power dhe Alstom Power Services edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura pasi GE Power ka në pronësi kompaninë Alstom Power Services.

Andaj, edhe zyrtarë të KEK-ut në deklaratat e tyre kanë thënë se kanë qenë të detyruar të lidhin kontratë të negociuar me “GE Power AG” meqë ata janë prodhuesit e turbinës.

“Alstom Power Service -Representative Office in Kosovo”, ka marrë shumë kontrata me negocim nga KEK.

Pra, ‘ALSTOM’ është prezent në Kosovë në vazhdimësi që nga viti 1979 pasi që është kompani projektuese e Termocentralit Kosova B, ndërsa në varësi të marrëveshjeve kontraktuale në TC-B gjendet që nga viti 1983/4, nga kur ky termocentral është lëshuar në punë. Duke u lidhur emri i tij me krejt TC-B, vetëm në vitet 2016, 2017, 2018, bashkë me “GE Power AG” kanë realizuar kontrata në vlerë prej 22 milionë euro.