Një tjetër “liberalizim” i vizave erdhi sot për Kosovën.
Eurodeputetët kanë miratuar raportin e Komisionit që i propozon Këshillit të Ministrave, si institucioni vendimtar, për t’i liberalizuar vizat për Kosovën, përcjell GazetaBlic.
Eurodeputetët miratojnë raportin: Këshilli i BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën pa vonesa
Kjo është e treta herë që Parlamenti voton pro liberalizimit, teksa rezoluta e sotme kaloi me 531 vota për, 117 abstenime dhe 48 kundër.
Në fakt, sistemi për që një vend të marrë liberalizimin duhet të kalojë në tri pika: raportimin pozitiv nga Komisioni Evropian që jep rekomandimin, se një vend i ka plotësuar kushtet që qytetarët e tyre të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen;
Pas kësaj Parlamenti Evropian duhet ta kalojë këtë raport në votim dhe në fund vendimi duhet të merret edhe nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare, me një shumicë të kualifikuar.
Shumica e kualifikuar duhet të plotësoj dy kushte: Shumicën e vendeve të BE-së që përfaqësojnë mbi 50 për qind të popullatës së atyre vendeve. Vendimi për qytetarët e Kosovës ka ngecur në pikën e fundit.
Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me njohësit e integrimeve evropiane, Dritëro Arifi e Dorajet Imeri.
Përderisa Imeri vlerëson se dialogu Kosovë – Serbi po shihet si determinues, me disa shtete që s’kanë kontribuar fare në dialog, Arifi thotë se Këshilli i Ministrave po tallet me ne, kur dihet tashmë botërisht se si shtet i kemi plotësuar kriteret e kërkuara.
“Është e vërtetë që Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian sot ka miratuar rezolutën, që në fakt është edhe hera e tretë që i bën thirrje Këshillit të Evropës, përkatësisht Këshillit të Ministrave që ta marrë seriozisht çështjen e liberalizimit të vizave pasi janë përmbushur të gjitha kriteret.
Kjo është hera e tretë që bëjnë ftesë që kjo të mbyllet në formë pozitive për kosovarët, por siç e dimë problemi ka mbetur në Këshillin e Ministrave dhe normalisht në këtë fazë Komisioni ka bërë një analizë për Ballkanin Perëndimor dhe ka konstatuar se mosliberalizimi i vizave për Kosovën dhe mosintegrimi i rajonit në instancat ndërkombëtare po ndikon në rritjen e rasteve kriminale, krimit dhe trafikimit e kështu me radhë”, tha fillimisht Arifi, duke vënë në pah arsyet pse sipas tij Komisioni miratoi sot rezolutën në fjalë.
Tutje, ai shtoi se fakti që disa vende më të pasigurta në Evropë dhe jo vetëm gëzojnë lirinë e lëvizjes, është mjaftueshëm për t’u parë se Këshilli është duke u tallur me Kosovën.
“Kjo është marrë si shkas që sa më shpejtë të integrohet Ballkani dhe të liberalizohen vizat për Kosovën. Unë mendoj se Këshilli Evropian realisht është duke u tallur me kosovarët, pasi kujtojmë se liberalizim të vizave kanë Venezuela, Meksika, Ukraina dhe vendet të cilat janë shumë më pak të sigurta, prandaj në këtë aspekt, më shumë e shoh si tallje nga Këshilli i Ministrave”, përfundoi Arifi për GazetaBlic.
Në anën tjetër, Imeri thotë se nga konglomerati institucional i BE-së, vetëm Parlamenti Evropian e njeh Kosovën, por shton se si i tillë është i pamjaftueshëm sa i përket politikëbërjes.
“Raporti real që ka sot BE-ja ndaj Kosovës, është raport i mosnjohjes. Vetëm Parlamenti Evropian nga konglomerati institucional i BE-së, e njeh Kosovën, ndërsa si i tillë, është i pamjaftueshëm në procesin e ligjvënies dhe politikë-bërjes evropiane, pasi në rastin e vendimmarrjes, si në rastin e liberalizimit të vizave, kërkohet miratimi edhe nga Këshilli i Ministrave, i cili si institucion përbëhet dhe reflekton diversitetin e pozicionit të shteteve anëtare të BE-së”, tha fillimisht Imeri.
Më pastaj, ai shtoi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte hap i rëndësishëm edhe për vet Bashkimin Evropian, pasi ky integrim i rajonit do t’i kontribuonte paqes.
“Shtimi i nevojës për të liberalizuar vizat për Kosovën, se në të kundërtën rritet kriminaliteti, sidomos me trafikimin me qenie njerëzore është e diskutueshme, por nuk do mend se Kosova ka përjetuar një valë të madhe të të larguarve, në vitin 2015, kur shumë njerëz, provuan që ilegalisht të shkojnë në vendet e evropiane, një pjesë e së cilëve është dashur të kthehen pa shpresë. Ka disa gjëra që duhet të shihen këtu, e para, a është BE-ja, më e sigurt pa konflikte në Ballkan dhe se kjo siguri, a do të prodhonte stabilitet edhe për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e BE-së? Të gjithë treguesit, flasin se BE-ja, përmes politikave të saj të zgjerimit dhe përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përçonte atë dhe do të krijonte paqe në kufijtë e tanishëm të saj, por potencialisht edhe të vetë territorit të saj, në momentin e zgjerimit”, vazhdoi tutje Imeri.
Në fund fare, njohësi i zhvillimeve dhe proceseve integruese, tha se pamundësia për të pasë një qëndrim unik në raportet negociuese mes Kosovës e Serbisë, ka bërë që BE-ja të mos jetë e drejtë ndaj Kosovës.
“Ku janë pengesat? Bisedimet Kosovë – Serbi, dhe pamundësia për të pasur qëndrim të prerë e unik në raportet negociuese mes këtyre vendeve, ka bërë që BE-ja, të mos jetë e drejtë ndaj Kosovës, sidomos, të cilën, për shkak të disa shteteve, nuk bënë asnjë përparim në përafrimin mes tyre”, përfundoi Imeri për portalin.
/GazetaBlic/