Qeveria e Kosovës së shpejti pritet t’i miratojë masat e reja kundër përhapjes së COVID-19 në vend.
Ndër këto masa që i është rekomanduar qeverisë, është se kufizimi i qarkullimit do të vazhdojë të jetë i njëjtë, nga ora 00:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu, do të jetë në fuqi edhe obligimi për mbajtjen e maskës.
MSH ka propozuar që çdo person që hyn në Kosovë duhe të ketë certifikatën e vaksinimit të plotë ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.
Ndërsa, shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
Po ashtu, obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
Gjithashtu obligohen edhe përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.


