Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, në një prononcim për Movistar+, është shprehur i mërzitur që skuadra e tij nuk ka fituar ndaj Benficas – por gjithsesi mbetet optimist për vizitën në Bayern.
Skuadra e tij, FC Barcelona ka barazuar pa gola ndaj Benficas, duke mos siguruar ende kualifikimin në fazën e eliminimit të Ligës së Kampionëve, përcjell GazetaBlic Sport.
“Ne punuam shumë për të fituar dhe krijuam mundësi të mjaftueshme për të marrë tre pikët. Ne varemi vetëm nga ne dhe shkojmë në Mynih me synimin për të fituar. Po luajmë shumë mirë, na duhet pak efikasitet përpara, por do të jemi në gjendje të përmirësohemi. Mungesa e golave është gjithmonë shqetësuese, sepse pa gola nuk fitojmë dot, por skuadra jonë ka kapacitet për të shënuar. Ndonjëherë nuk e keni fatin në anën tuaj, por le të punojmë në këtë aspekt”, tha Pique.
Pique nënvizoi gjithashtu ndikimin pozitiv të ardhjes së trajnerit të ri, Xavi Hernandez: “Kur gjërat nuk shkojnë mirë, ju kërkoni një ndryshim dhe kur dikush i ri vjen me idetë e tij, kjo i ndihmon lojtarët ta shohin atë si një mundësi. Skuadra është shumë e motivuar dhe e lidhur. E kemi parë tashmë në ndeshjen kundër Espanyol dhe sërish sot”, përfundoi Pique.
/GazetaBlic Sport


