Festa e Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen me Serbinë ishte komentuar pafund duke bërë zhurmë mediatike.
Pala serbe e kishte konsideruar atë si fyerje dhe kërcënim duke qenë se dy lojtarët shqiptarë përfaqësojnë Zvicrën në Kampionatin Botëror, por ata festuan me shqiponjë pas golave të shënuar.
FIFA kishte ndërmarrë masa kundrejt dy lojtarëve duke i penalizuar me një gjobë prej 25.000 dollarësh gjatë asaj kohe. Ishte një dënim ky që u komentua shumë gjatë asaj kohe, por që FIFA ishte i vendosur dhe ky vendim mbeti në fuqi.
![]()
Kësaj duhet shtuar edhe fushata e “egër” nga mediat serbe, të cilat madje edhe përdoren fotot familjare të futbollistëve për t’i sulmuar ata.
Madje, Xhaka dhe Shaqiri në deklaratat e tyre e kishin mohuar se kishin qëllime ndaj kundërshtarëve të tyre, në deklaratat pas ndeshjes.
“Për mua ishte një ditë vërtetë e veçantë. Festa nuk kishte për qëllim kundërshtarët tanë. Ishte një lojë vërtet emocionuese”, tha Xhaka.
Në anën tjetër Shaqiri tha: “Nuk ka të bëjë me politikë, ka të bëjë me futbollin”.
Megjithatë, kur jemi rreth tre vite më pas nga ajo ngjarje, një veprim shumë skandaloz ka ndodhur pikërisht në ndeshjet që organizohen nën juridiksionin e kësaj organizate, FIFA-s.
Futbollistët e Serbisë e festuan sigurimin e pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2022, pas fitores kundër Portugalisë, të veshur në fanella që mbanin mbishkrime nacionaliste.
Për më tepër, në një hartë serbe në fanellat e tyre, ata e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë.
“Le të valëvitë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumije (Mal të Zi)”, ishte mbishkrimi në fanellat e tre futbollistëve serbë që pozuan duke i ngritur lart tre gishta pas fitores 2:1 kundër Portugalisë në Lisbonë.

GazetaBlic Sport ka kontaktuar UEFA-n për këtë, të cilët janë përgjigjur se nuk është nën juridiksionin e tyre organizimi i ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.
“Kualifikimet evropiane për Kupën e Botës FIFA 2022 bien nën juridiksionin e FIFA-s, dhe për rrjedhojë, rregullat dhe rregulloret e tyre. Ju duhet të kontaktoni FIFA-n nëse do të hapet ndonjë procedim disiplinor i mundshëm“, thuhet në përgjigjen e tyre.

GazetaBlic Sport ka kontatuar edhe FIFA-n për këtë gjë, por kjo organizatë ka zgjedhur heshtjen, duke mos nxjerrur asnjë reagim në lidhje me këtë veprim skandaloz të futbollistëve serbë.
Kjo nuk është absolutisht hera e parë që kjo gjë po ndodhë, duke kujtuar shumë episode që kanë kaluar gjatë ndeshjeve të kësaj kombëtarje të shoqëruara me thirrje nacionaliste e parulla të tilla anti-Kosovë, të cilat kanë “shpëtuar” pa u dënuar e gjykuar nga këto autoritete.
Është e qartë që në momentin kur këto veprime nuk dënohen, do të vazhdojnë të përsëriten. Se nacionalizmi serb është shumë i rrezikshëm kishte dëshmuar edhe ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, atje ku tifozët vendas kishin sulmuar brutalisht futbollistët e Shqipërisë.
/GazetaBlic Sport/


