Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Vendimi i plotë:
A r s y e t i m i:
Me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.725/2021, datë 31.10.2021, në pikën I. Pranohet pjesërisht si e bazuar apeli A nr. 725/2021, i datës 29.10.2021 i paraqitur nga Strahinja Spasić, kandidat për Kryetar të Komunës Kllokot, nga subjekti politik GI Srpska Narodna Sloga, ndërsa subjektit politik Lista Serbe i shqiptohet dënim me gjobë në lartësi prej 8,100.00 €uro (tetëmijenjëqind), për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021.
Në pikën II. Detyrohet Subjekti Politik Lista Serbe, që gjobën e shqiptuar si në pikën I. Të dispozitivit të këtij vendimi ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi, nën kërcënimin e shqiptimit të dënimit shtesë.
Në pikën III. Refuzohet si e pabazuar pjesa e apelit të kandidatit për Kryetar të Komunës Kllokot, Strahinja Spasić nga radhët e subjektit politik GI Srpska Narodna Sloga, me të cilën ka kërkuar që të anulohet rezultati përfundimtar i shpallur me vendimin nr. 2858/2021, i dt. 28.10.2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), dhe të decertifikohet subjekti politik Lista Serbe, nga zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021.
Kundër vendimit të lartpërmendur, Subjekti Politik Lista Serbe, në afat të lejuar ligjor ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme me të cilën e konteston ligjshmërinë e tij për shkak të; Konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së dispozitave të kushtetutës dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke propozuar që gjykata ta aprovoj ankesën si të bazuar, të anulohet vendimi i kontestuar i PZAP, A nr. 725/2021, dhe të vërtetohet se ankesa e subjektit politik GI Srpska Narodna Sloga, kundër subjektit politik Lista Serbe është e pabazuar.
PZAP në përgjigje në ankesën e paraqitur të Listës Serbe kundër vendimit të tij të lartpërmendur, i kontestoi në tërësi thëniet ankimore dhe propozoi që ankesa e subjektit politik të dënuar me këtë vendim, të refuzohet si e pabazuar ndërsa të vërtetohet vendimi i saj A nr. 725/2021 i dt. 31.10.2021. Gjykata Supreme vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjen se; Ankesa është e pabazuar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se, PZAP ka pranuar një ankesë të subjektit politik GI Srpska Narodna Sloga, me seli në Komunën e Kllokotit, A nr. 725/2021 të dt. 29.10.2021 me të cilën pretendon se pas shpalljes së zgjedhjeve lokale nga KQZ ka pas joshje, keqpërdorime malverzime dhe presione të mëdha ndaj votuesve që të votojnë Listën Srpsa dhe në fshatin Mogillë nga policia e Kosovë janë arrestuar katër persona të cilët me mjete monetare KESH blinin vota për Listën Serbe të cilët më pas janë akuzuar për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të Votueseve” dhe Dhënia dhe marrja e ryshfetit”, andaj pretendon se zgjedhjet në Komunën e Kllokotit nuk janë mbajtur në frymë demokratike ka pas keqpërdorime dhe blerje votash nga Lista Serbe që kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.
PZAP Listës Serbe i ka dërguar ankesën e palës ankuese për të paraqitur përgjigje në ankesë, por ky subjekt në afatin e caktuar ligjor nuk ka paraqitur përgjigje në ankesë të palës ankuese. PZAP pas vlerësimit të pretendimeve si në ankesë të palës ankuese vendos si në dispozitiv të vendimit të saj të kundërshtuar A nr. 725/21 të dt. 31.10.2021 që, ankesa është pjesërisht e bazuar dhe subjektit politik Lista Serbe i shqiptohet dënim në shumë prej 8, 100,00€ për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatet për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021.
Në arsyetimin e tij PZAP thekson, pasi u vlerësuan provat, si Raporti i Policisë i dt. 29.10.2021, Njoftimi i Prokurorit të Shtetit dhe përgjigja në apel të palës ankuese nga KQZ, paneli gjen se në Komunën e Kllokotit pas ndaljes së një veture nga policia në të cilën ishin 4 persona , tre prej tyre për mes veprimit të kundërligjshëm kishin arritur marrëveshje me të dyshuarin tjetër të cilit i kanë dhënë 200€ në mënyrë që të votoj dhe siguroj 10 vota, për kandidatin për kryetar Komune në Kllokot nga Lista Serbe. Gjersa KQZ në përgjigjen e tij kishte informuar PZAP se në Komunën e Kllokotit nga personeli kompetent i saj nuk kishin asnjë informatë se procesi zgjedhor të jetë penguar nga ndonjë person apo subjekte të ndryshme politike.
Nga gjendja faktike e vërtetuar, PZAP, vie në përfundim se subjekti politik Lista Serbe me veprimet e mbështetësve të saj, ka bërë shkelje të Kodit të Mirësjelljes duke ju premtuar votuesve shpërblime financiare me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve e që bie në kundërshtim me nenin 33 pika f), të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme,(LZP), andaj vendos si në vendimin e saj bazuar në dëshmitë konkrete të qarta dhe bindëse ashtu si përcaktohet në nenin 117 par. 3, të LZP, dhe vlerësoi se ka ndodhur shkelja e këtij ligji nga ana e mbështetësve të subjektit politik Lista Serbe në ditën e votimit me datë 17.10.2021, si në raport të policisë dhe Njoftim të Prokurorit të Shtetit.
Kolegji i Gjykatës Supreme duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, si në vendimin e tij, lidhur me dënimin e subjektit politik Lista Serbe për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët për Zgjedhjet lokale të datës, 17.10.2021.
Vendimi i PZAP është i drejtë i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare nga vërtetohet se edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë në kuptim të dispozitave ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, dhe Rregulloren e PZAP- it nr.01/2012, për kategorizimin e sanksioneve dhe gjobave të PZAP-it, sepse në mënyrë të sigurt është vërtetuar shkelja nga Lista Serbe e Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatet, e paraparë në nenin 33, parag. 1, pika pika f), të Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe nenit 6 paragrafi 2 të Rregullores 01/2012, për Kategorizimin e Sanksioneve dhe Gjobave të PZAP-it. Vendimi i kundërshtuara nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës dhe as në zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Objekt shqyrtimi dhe vlerësimi në Gjykatën Supreme ishin pretendimet ankimore të subjektit politik të lartpërmendur, dhe përkitazi me konstatimin jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike ashtu si thekson se; PZAP vendimin e ka bazuar në shkrimet e gazetave si portalit Info-plus, që i janë bashkëngjit ankesës, se personat e ndaluar nuk kanë lidhje me Listën Serbe, nuk janë zyrtar të këtij subjekti dhe nuk është vërtetuar lidhja e këtyre personave me këtë subjekt etj.
Këto pretendime dhe të tjerat në këtë drejtim nga kolegji i kësaj gjykate refuzohen si të pabazuara dhe jo të qëndrueshme sepse PZAP vendimin e saj e bazon në prova konkrete të qarta dhe ekzistuese si Raporti i Policës së dt. 29.10 2021 dhe Njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, sipas së cilave dëshmohet se ndaj personave konkret për këtë vepër është filluar edhe procedurë penale në drejtim të veprës penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Po ashtu pretendimet në drejtim të fakteve se personat e arrestuar nuk janë aktivist apo zyrtar të këtij subjekti ,po ashtu nuk janë të qëndrueshme sepse nga paneli si në kuptim të nenit 117 par. 3 të LZP është vërtetuar se në bazë të raportit të cekur të policisë dhe provave të tjera bëhet për mbështetës të subjektit politik Lista Serbe dhe se me veprimet e ndaluara të mbështetësve të saj është thyer Kodi e Mirësjelljes me ofrimin e shpërblimeve financiare me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve , që si vepër e tillë është në kundërshtim me nenin 33 par. 1 pika f) të LZP, e ndëshkueshme si në kuptim të nenit 120 par. Pika c) e LZP-së.
Po ashtu pretendimet e tjera se vendimi e ankimuar i PZAP , është i përfshirë me shkelje të Kushtetutës nga neni 31,( E drejta për gjykim të drejtë dhe të pa anshëm),dhe prezumimi i pa fajsisë si në parag 5, të këtij neni, sepse personat e akuzuar ende nuk janë dënuar, kolegji i Gjykatës Supreme i vlerëson si jo të qëndrueshme, sepse në rastin konkret çështja e vendosur nga PZAP ashtu si u theksua si më lartë, nga gjendja faktike e vërtetuar në bazë të provave të lartë cekura, ka të bëjë me shkelje të dispozitave konkrete të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, e jo me përgjegjësi penale, prandaj këto pretendime nuk janë me ndikim për vendosjen ndryshe të kësaj çështje, lidhur me shkeljen e lartpërmendur nga neni 33, pika f) të LZP.
Gjoba e shqiptuar në këtë rast në kuptim të nenit 120, par.1 c) të LZP, është pa paragjykim ndaj përgjegjësisë apo sanksionit penal ndaj kryesve që mund të pasojë në një procedurë tjetër apo penale, sepse vendimi i PZAP dhe çështja e vendosur është e natyrës, gjobë për shkelje administrative të LZP.
Duke marr parasysh se PZAP-i, me rastin e shqiptimit të gjobës së lartpërmendur, ka marr parasysh një mori rrethanash të precizuara më afër në arsyetimin e vendimit të tij, dhe se lartësia e gjobës e paraparë për një shkelje të tillë sipas nenit 120 paragrafi 1 pika c, të Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës nr.00/L-256, është deri në 50.000€, Gjykata Supreme vlerëson se dënimi i shqiptuar këtij subjekti politik në lartësi prej 8,100.00 €, është i drejtë dhe i ligjshëm, me të cilin vlerësohet se do të arrihet qëllimi ligjor i tij, jo vetëm ndëshkimi i shkelësve të dispozitave të Kodit të Mirësjelljes të subjektit politik, mbështetësve dhe kandidatëve të tyre, por edhe korrektimi i shkeljeve të ndryshme zgjedhore dhe sigurimi i mbarëvajtjes së këtyre dhe zgjedhjeve të tjera, si dhe ndikimi edhe në subjektet e tjera politike që garojnë në zgjedhje, që me përpikëri të zbatojnë dispozitat e Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, vendimi i kontestuar është i qartë dhe i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare, të cilat i pranon edhe kjo Gjykatë, e cila konstatoi se edhe e drejta materiale, po ashtu, është zbatuar drejtë. Nisur nga gjendja faktike e vërtetuar, kjo Gjykatë konstatoi se në këtë çështje juridike gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës, prandaj nuk i pranoi pretendimet ankimore të tij, ngaqë janë pa ndikim në konstatimin e një gjendjeje tjetër faktike nga ajo që ka vërtetuar PZAP.
Nga theksimet si më lartë dhe në bazë të nenit 46 të Ligjit të Konflikteve Administrative, lidhur me nenin 118.4 dhe 33.1 (f), të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në lidhje me nenin 15 të Ligjit nr. 03/l-072, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.


