Sporti

‘Rrëfehet’ Rustem Hoxha: Kampionati në Kosovë është i fortë, me Ballkanin shpresojë të dalim kampion në fund të sezonit

11/02/2021 16:04
nga:Lorik J

Rustem Hoxha, transferimi i ri i Ballkanit është ambientur shpejtë në futbollin kosovar.

Hoxha u transferua tek Ballkani nga skuadra kampione e Shqipërisë, KF Teuta në merkaton e verës, shkruan GazetaBlic Sport.

Ballkani nisi mirë sezonin e Superligës së Kosovës dhe aktualisht ndodhet në vendin e dytë, një pikë më pak se FC Drita që prin në renditjen tabelare.

30 vjeçari, Rustem Hoxha që luan në pozitën e mbrojtësit, shprehet i lumtur me ambientimin e shpejtë në futbollin kosovar, teksa shton se ka gjetur një ekip dhe staf të jashtëzakonshëm.

“Kam pasur fatin e mirë që kam gjetë një grup të lojtarëve shumë të mirë, me një staf të mrekullueshëm, bashkë me Presidentin dhe qytetin më kanë pritur shumë mirë. Kjo gjë më ka bërë të përshtatem mirë dhe shpejtë me ekipin, poashtu dhe performanca ime të ishte e mirë. Deri tani çdo gjë ka shkuar mirë sa i përket fillimit të kampionatit, ka pas mundësi të jetë më mirë, por besoj që në vazhdim të punojmë dhe të rritemi, si performanca ime, ashtu edhe e skuadrës”, tha fillimisht Rustem Hoxha për ‘GazetaBlic Sport’.

Hoxha e përshkruan kampionatin e futbollit në Kosovë si mjaft të fortë dhe me rivalitet të madh, teksa shpreson se në fund të edicionin 2021/22, ai bashkë me klubin e tij, FC Ballkani të dalin triumfues dhe të marrin titullin kampion.

“Konkurrenca dhe rivaliteti është i fortë, janë shumë skuadra që luftojnë për titull dhe për të dalur në Kupat e Evropës. Unë siç e thash jam përshtatur mirë, këtë gjë ma ka mundësu skuadra komplet. Në këtë garë të fortë, shpresojë dhe kam besimin që ne në fund të kampionatit të jemi ata që fitojmë Superligën e Kosovës”, shtoi mbrojtësi, Rustem Hoxha.

Në fundjavë zhvillohet super ndeshja në Superligën e Kosovës mes Dritës dhe Ballkanit në Suharekë. Hoxha e cilëson ekipin e Dritës së mjaft të fortë, por thotë se po përgatiten maksimalisht që të marrin tre pikët në këtë duel të rëndësishëm.

“Është një ndeshje e vështirë, Drita dihet që ka një ekip të mirë dhe është ekip që luan gjithmonë në ekuilibra, do të jetë një ndeshje e fortë – që unë mendoj se ne si skuadër do të bnëjmë më të mirën, kemi javën para të bëhemi gati, shpresojë që ditën e ndeshjen të jemi në ditën tonë më të mirë, të japim maksimumin dhe shpresojë të marrim fitoren”, vazhdoi ai.

Në fund, Rustem Hoxha falënderoi edhe tifozët e Ballkanit, “Xhebrailat” dhe qytetarët e Suharekës, për të cilët tha se janë shumë të flaktë pas klubit, e këtë dashuri të tyre ai shpreson t’ua shpërblejë me titull në fund.

“Së pari i falënderojë tifozët e Ballkanit, sepse na kanë mbështetur, edhe në takimin ndaj Ulpianës ishin në stadium dhe pavarësisht humbjes ishin aty gjatë gjithë kohës duke na mbështetur dhe në fund të takimit na duartrokitën dhe unë shpresojë dhe uroj që të gjithë të mobilizohemi të bëjmë maksimumin që me tifozët e Ballkanit dhe qytetarët e Suharekës t’i shpërblejmë me një trofe, sepse ata e dashurojnë futbollin dhe e meritojnë një trofe dhe gëzim të tillë për skuadrën dhe qytetin e tyre”, përfundoi Rustem Hoxha.

Vlen të potencohet se Rustem Hoxha ka shënuar dy gola vendimtar për Ballkanin këtë stinor, një ndaj Ulpianës, ku i siguroi skuadrës tre pikë në fitoren 3:2 dhe një ndaj Drenicës për të barazuar rezultatin në 2:2, e më pas skuadra e tij triumfoi me rezultatin 3:2.

/GazetaBlic Sport.