Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka publikuar disa informacione për votuesit nga diaspora.
Ai ka bërë me dije se të drejtën për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave e kanë vetëm votuesit në të cilat do të ketë balotazh.
Elezi poashtu ka njoftuar se nuk do të ketë periudhë të re për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës sepse vlen lista e votuesve e raundit të parë të cilët janë regjistruar gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Zëdhënësi I KQZ-së ka treguar se fletvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 12 nëntor 2021.
“Numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë është: Gjakovë (1,089), Gllogoc (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamush (192) dhe Kllokot (10)”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se raundi i dytë zgjedhor në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar 50%+ në raundin e parë mbahet më 14 nëntor.