Dëshmitari i tretë në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë, Miro Jukiq, që mban postin e udhëheqësit të ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka thënë se shumë dëshmitarë kishin frikë dhe se disa prej tyre i zhvendosën nga Kosova.
Këtë deklaratë, Jukiq e ka dhënë në gjykimin që po zhvillohet ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Hagë, të cilët po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Dëshmitari ka thënë që punon në ZPS që nga shtatori i vitit 2019, ku tani mban postin e udhëheqësit të ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve, pranë ZPS që nga prilli i këtij viti.
Ai tha se para se të merrte këtë detyrë, ka qenë punonjës i sigurisë së dëshmitarëve në ZPS.
Ndërsa, shtoi se tani është këshilltar i zëvendësprokurorit të Specializuar dhe kryesues për njësinë operative dhe të dëshmitarëve dhe të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e dëshmitarëve.
Ai tha se si punonjës i sigurisë së dëshmitarëve ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë dëshmitarët, për të cilët është përgjegjës ZPS dhe se mbajnë kontakt me ta në lidhje me të gjitha nevojat dhe takimet e prokurorisë me dëshmitarët.
Tutje, theksoi se ka kontakte të drejtpërdrejta me dëshmitarët në punën që ka tani dhe se ka përvojë 20 vite në mbrojtje të dëshmitarëve në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar në zonën e Ballkanit, në Kroaci dhe Bosnje.
Dëshmitari Jukiq deklaroi se deklarata që ka dhënë të prokurori ka të bëjë me kontaktet që ka pasur me dëshmitarët pas rrjedhjes së informacioneve
“Kam pasur edhe disa shënime zyrtare që i kam rishikuar, shqyrtuar, të kontakteve që kolegët, prokurorët kanë pasur me dëshmitarët”, ka thënë ai.
Sipas tij, pas rrjedhjes së informacionit dhe dokumenteve, kanë marrë disa telefonata nga dëshmitarë që shfaqën shqetësimet e tyre dhe ishin frikësuar që emrat e tyre janë bërë të njohur në mediet në Kosovë, në rajon.
“Ne morëm vendimin që t’i njoftojmë me telefon se emrat e tyre kishin rrjedhur”, ka thënë ai.
Dëshmitari Jukiq tha se pas rrjedhjes së informacionit më 22 shtator, ata morën vesh se cilat dokumente ishin bërë publike dhe vendosën ta shikojnë listën.
“T’i shqyrtojmë dokumentet dhe identifikojmë të gjithë emrat e përfshirë në rrjedhjen e informacionit. Pas identifikimit të emrave, kaluam listën me emrat një nga një, identifikuam të gjithë dëshmitarët bashkëpunues dhe morëm vendim që ti thërrasim në telefon dhe t’i informojmë për rrjedhjen e informacionet”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, konfirmoi se e kishin detyrë t’i informojnë se emrat e tyre ishin publik dhe se kur flet për bërjen publike të dokumenteve e ka fjalën për konferenca të OVL-UÇK-së.
Dëshmitari bëri të ditur se i kanë ndarë dëshmitarët në disa kategori.
“Njëra prej tyre janë viktimat, të cilët për mendimin e ZPS janë persona që janë keqtrajtuar, rrahur apo torturuar në çfarëdo mënyre të mundshme nga dikush tjetër gjatë periudhës që mbulon mandati ynë në Kosovë”, ka thënë dëshmitari.
Kurse, ‘dëshmitar bashkëpunues’ tha se nënkupton çdo dëshmitar që është ftuar nga ZPS dhe ka dhënë deklaratë në ZPS-së.
“Pjesa më e madhe e tyre u kontaktuan me telefon, disa insistuan të takoheshin sy më sy dhe disa tjerë meqë nuk arritëm t’i kontaktonim në telefon, nuk ishim në gjendje të kontaktojmë me ta, iu shkuam në shtëpi për t’i kontaktuar”, ka thënë dëshmitari.
I njëjti u pyet se kur flet lidhu me personat, identifikimin e emrave të viktimave dhe dëshmitareve bashkëpunues, a ka marrë vesh se kush i kontaktoi ata në procesin e identifikimit.
Për këtë, dëshmitari tha se është përfshirë në identifikimin e emrave të viktimave dhe dëshmitarëve bashkëpunues në rolin e punonjësit të sigurisë së dëshmitarëve dhe se edhe ai vet ka bërë kontakte me telefon.
“Kur them ne, i referohem oficerëve ose punonjësve të sigurisë së dëshmitarëve pasi nuk jam i vetmi person që punoj në atë njësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, përafërsisht rreth 30 telefonata të tilla janë bërë në lidhje me incidentet e shtatorit të vitit 2020, ndërkaq tha se përgjithësisht edhe nga oficerët e tjerë edhe ato të tij janë bërë rreth 200 telefonata, kurse përmendi se kanë përdorë përkthyesit gjatë çdo telefonate që kanë bërë.
Ai tha se kishte shumë njerëz që shfaqën frikën e tyre dhe u ndien të kërcënuar pas publikimit të emrave të tyre.
“E kishim një plan, pas rrjedhjes së informacioneve, kishim plan t’i thërrisnim njerëzit, filluam telefonatat më 24 shtator, u ndamë në disa grupe, zakonisht një grup përbëhej prej një oficeri të sigurisë së dëshmitarit, një avokati, një hetuesi dhe një përkthyesi në një telefonatë”, tha ai.
Sipas tij, kjo çështje ishte prioritetit më të lartë për të gjithë zyrën në atë kohë.
Ai tha se atë kohë nuk është përfshirë në organizimin e aktivitetit, por vetëm në telefonatat dhe se ky aktivitet mbikëqyrej ngaa udhëheqësi i atëhershëm për ekipin e sigurisë së dëshmitarëve.
Dëshmitri Jukiq tha se e di nga përvoja që pa dëshmitar nuk mund të kesh çështje gjyqësore dhe për oficerët e mbrojtjes së sigurisë së dëshmitarëve, emrat e dëshmitarëve janë të prioritetit më të lartë.
Sipas tij, kohëzgjatja e telefonatave varej, por sipas tij çdo telefonatë ka zgjatur të paktën 15 minuta.
“Të gjithë personat ishin shumë të shqetësuar, disa fillonin të bërtisnin në telefon, disa na thonin mos t’i kontaktonim më dhe reagimi i tyre kryesisht nuk ishte i mirë”, tha ai.
Ai shtoi se kur i telefononin të njëjtit, prezantoheshin kush ishin, i pyesnin nëse kanë dëgjuar për rrjedhjen e dokumentacionit dhe informacionit të ZPS dhe i informonin nëse emrat janë bërë publik dhe nëse po fillonin të ndjeheshin shumë keq.
“Më kujtohet një rast kur njëri na tha se ka besim në ne dhe si mundet që emri të ketë dalë në publik dhe se familja e tij ishte e rrezikuar dhe më tha e di shumë mirë çka ka ndodhur me dëshmitarët në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se ky kontakt ishte para fillimit të aktivitetit të thirrjes së dëshmitarëve.
Sipas Jukiq, edhe kolegët e tij kanë marrë mesazhe të ngjashme nga telefonatat dhe se e di këtë pasi kishin takime të përditshme me kolegët, në të cilat ka dhënë edhe ai kontributet e tij gjatë diskutimeve.
“I gjithë informacioni që mora nga dëshmitarët gjatë telefonatave apo shkëmbimet e mesazheve ua bëra të njohur aty”, tha ai, duke shtuar se edhe kolegët bënë të njëjtën gjë.
Ai deklaroi se të gjithë personat që e kontaktuan atë, ishin të shqetësuar dhe tronditur.
“Të gjithë personat që na kontaktuan ishin të trembur, po disa që ne i kontaktuam më vonë thanë se nuk duan t’ia dinë dhe nuk kanë frikë”, ka thënë ai.
Sipas tij, disa nga masat që morën për dëshmitarët ishte dhënia e numrave të ri të telefonit dhe pajisje telefonike për komunikim të sigurt me ta.
“Përgatitëm për shumë prej tyre plane për menaxhimin e riskut dhe i zhvendosëm disa prej tyre nga Kosova. Një plan emergjent i menaxhimit të riskut është plan që përgatitet në plane emergjente, sipas të cilit mund t’i marrim dëshmitarët dhe familjet e tyre nga shtëpitë e tyre dhe t’i zhvendosim në zyrën tonë”, theksoi ai.
Ndërsa, shtoi se u përfshinë shumë persona, përfshirë punonjësit e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe zyrtarëve të sigurisë operacionale.
Tutje, tha se zhvendosja e personave ishte e lidhur me personat që ishin të frikësuar dhe nuk donin të rrinin më në vendin e tyre, në shtëpinë tyre dhe për këtë veprim u morën parasysh dy faktorë që ishin kërcënimi dhe rëndësia e deklaratës së dëshmitarit.
Prokuroria i ka paraqitur dëshmitarit disa nota zyrtare, ku në një ndër to thuhej se dëshmitari kishte dëgjuar për rrjedhjen e dokumenteve, është shqetësuar e panikuar.
“Ka thënë personi se ka marrë gruan se ka shkuar në shtëpi me makinë dhe është larguar nga Kosova, sepse kishte frikë të shkonte në punë. Thuhet se keni marrë një mesazh në këtë person ku thuhet se dokumentet e nxjerra janë botuar në të gjitha mediat shqiptare” , citoi prokurori, e dëshmitari tha se e mban mend këtë.
“Ky person konkret ishte shumë i trembur që nga momenti i parë që u bë publik dokumenti nga OVL-UÇK”, ka thënë ai.
Dëshmitari tha se personat që i kontaktuan, disa prej tyre e dinin se kanë rrjedhur emrat, disa e dinin se ishin emrat e tyre aty, por shumica e tyre nuk e dinin këtë.
“Shumica kishin dëgjuar për rrjedhjen apo publikimin e dokumenteve. Gjatë këtyre telefonatave, kuptova se kishin dëgjuar prej medieve, disa prej tyre që e mësuan se ishin emrat e tyre, mësuan nga anëtarë të familjes apo miqtë që emrat e tyre ishin bërë publik në medie”, tha dëshmitari.
Tutje, dëshmitarit i janë treguar edhe dokumente të tjera.
“Kjo notë përmend një takim me dikë, emri i të cilit është fshirë dhe datën e takimit, në paragrafin 2 dhe 3, nota thotë që personi u ka thënë se është i shqetësuar për sigurinë e tij dhe për në njoftim të caktuar të bërë nga OVL- UÇK”, tha prokurori për një nga dokumentet.
E për këtë, dëshmitari tha se e mban mend takimin dhe se ishte takim i paplanifikuar.
“Personi më kontaktoi kur rrjedhën dokumentet, më kontaktoi në ditën që është përmendur në notën zyrtare”, ka thënë dëshmitari Jukiq.
Avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Reese e kundërshtoi këtë dokument, pasi sipas tij nuk është bërë deri 5 muaj pasi ndodhën ngjarjet.
“Jam i lumtur të sqaroj tani ose më vonë relevancën e këtij dokumenti por s’ka të bëjë me pranimin e këtij dokumenti si provë materiale. Siç u tha nga zoti Reese ne shohim dy data këtu, data është pak më e vonë, ky hendek në kohë ka ardhë si rezultat i mbylljes për shkak të COVID-it dhe nuk kemi pas mundësi të shkonim në zyrë të regjistronim dokumentet ne Zae Lab”, ka thënë prokuroria.
Kurse, dëshmitari deklaroi se ai mban shënim dhe i bën notat zyrtare menjëherë pas takimit ose më pranë takimit që është e mundur.
Tutje, ai ka folur edhe për një mesazh, ku një i afërm i një personi i ka thënë se familja e tij e ka informuar atë dhe të tjerët se emri i personit është bërë publik përmes dokumenteve të rrjedhura dhe thuhet se personi ka vendosur që ta lëvizte familjen e tij nga vendi ku ishte.
Dëshmitari Jukiq tha se e mban mend këtë mesazh dhe se personi në fjalë familjen e kishte dërguar në një shtet tjetër.
Ky dëshmitar në vijim është deklaruar edhe për notat e tjera zyrtare të përpiluara, për të cilat është pyetur nga prokuroria.


