Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK kritikuan mazhorancën për ikje nga angazhimet parlamentare, derisa konsideruan se është me rendësi të mbahet debati parlamentar për gazsjellësin dhe zgjedhja e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe organin shqyrtues në Prokurimin Publik.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, dështimin e mbledhjes e ndërlidhi me rezultatin e partisë në pushtet në zgjedhjet lokale.
Sipas tij, opozita nuk e ka obligim t’ia bëjë kuorumin mazhorancës për mbajtjen e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit.
Tahiri: Pas rezultatit të fundit zgjedhor, partia në pushtet nuk ka vullnet me qenë në Kuvend
“Siç duket pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca nuk ka vullnet me qenë në Kuvend dhe me shty përpara agjendën parlamentare. Ne megjithatë i bëjmë thirrje që të jenë prezent kryetari së bashku me nënkryetarët që vijnë nga pushteti. Betejat parlamentare janë të rëndësishme dhe i kontribuojnë demokracisë së vendit tonë…15: Opozita nuk është ajo e cila është përgjegjëse për funksionimin e Kuvendit, mazhoranca është gjithmonë, pasi e ka shumicën në kryesi. Edhe pa prezencën e opozitës mazhoranca i ka numrat dhe mundet me thirr një seancë kurdo qoftë dhe mos me marrë pjesë PDK, LDK dhe as partitë tjera. Prandaj sjellje të tilla janë të papranueshme dhe nuk është mirë të ftohen mbledhje të tilla të kryesisë, kur e dinë se nuk ke kuorum ose nuk vjen mbledhje”, tha ai në konferencën për medie.
Kritik ndaj mazhorancës u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se legjislativi duhet ta konsiderojë me urgjencë debatin parlamentar për veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC. Ai kërkoi edhe miratimin e një rezolute që ekzekutivi ta rishikojë këtë vendim.
Tahiri: Debati parlamentar për gazsjellësin është me rëndësi të ndodhë
“Për grupin parlamentar të AAK-së është jashtëzakonisht me rëndësi dhe urgjencë që të ndodh debati parlamentar për veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC. Vendimi i qeverisë për neve si grup parlamentar është ndër veprimet më të dëmshme që i ka bërë në këtë kohë, është një veprim që duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë shumë shpejtë para Kuvendit për të argumentuar aspektin që lidhet me fillimin e projektit të MCC-së. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të caktohet seanca dhe të ndodh debati në mënyrë që kjo çështje të adresohet në Kuvend dhe qeveria të ndryshojë mendimin”, tha Tahiri.
Nga ana tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, paralajmëroi për kallëzim penal ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për siç tha implementimin e marrëveshjes ndërkombëtare “HERAS+” me Austrinë, pa ratifikim në Kuvend.
Tahiri: PDK është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj Ministrisë së Arsimit
“Marrëveshja që është e nënshkruar me Austrinë “HERAS+” që ka të bëjë me arsimin, ne e kemi theksuar se kjo marrëveshje është shumë e dëmshme. Fatkeqësisht ende pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, kemi informata që kjo marrëveshje ka filluar të implementohet nga Ministria e Arsimit. Kjo është një vepër penale dhe një dëm i madh që po i bëhet vendit. PDK ditët në vijim është duke përgatitur një kallëzim penal për të drejtuar në Prokurorinë Speciale për implementimin e kësaj marrëveshje. Si ka mundësi që një marrëveshje e tillë e nënshkruar që s’është ratifikuar ende në Kuvend të fillon të shpenzohen mjetet. Informatat tona tregojnë se mjetet veçse kanë filluar të shpenzohen pavarësisht se nuk është ratifikuar. Nëse është e kundërta e kësaj, ne e ftojmë ministren të vijë në Kuvend dhe të dëshmojë në mënyrë që ne mos të procedojmë tutje me kallëzim penal”, shtoi ai.
Mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit kanë dështuar të mbahen edhe në të kaluarën si pasojë e mungesës së kuorumit./