Lajme

Asociacioni i Komunave të Kosovës i reagon ashpër Arbërie Nagavcit për mungesën e teksteve shkollore: Mos fajëso komunat për përgjegjësitë që ka MASHT

10/06/2021 15:56
nga:N M

Asoacioni i Komunave të Kosovës, gjegjësisht drejtoritë komunale të Arsimit i kanë reaguar ashpër ministres së arsimti Arbërie Nagavci e cila gjatë ditës tha se komisionet komunale nuk kanë bërë planifikimin e duhur sa i përket furnizimit me tekste shkollore në komunat e Kosovës.

Sazan Ibrahimi drejtor ekzekutiv i AKK-së, në një deklaratë për Gazeta Blic ka thënë drejtoritë komunale të Arsimit  dhe komisionet kanë kryer punën e tyre sa u përket numrit të teksteve shkollore që nevojiten në secilën komunë apo shkollë të Kosovës, por që ka qenë MASHT që ka dështuar në furnzimin me libra shkollorë për drejtoritë komunale të Arsimit.

“Komisionet komunale e kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHT nuk i ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna. Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni. Për përgjegjësit e veta MASHT nuk mund të fajësoj komunat”,ka thënë Ibrahimi.

Më herët përmes një reagimi në Facebook ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është deklaruar në lidhje me ankesat e shumta për mungesë të teksteve shkollore.

Nagavci ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.

“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, shkruan Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se janë të gatshëm të përmbushin kërkesat, nëse ka pasur lëshime nga MASHTI.“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, kishte shkruar Nagavci.

Mungesa e teksteve shkollore, Nagavci u hedh fajin drejtorive komunale të Arsimit