Lajme

Më pak se katër orë deri te afati i fundit për serbët që t’i largojnë të gjitha barrikadat

10/02/2021 12:33
nga:M K

Serbëve iu kanë mbetur edhe katër orë kohë që të largojnë plotësisht barrikadat që kishin vendosur para dy javësh në rrugët që shpijnë në vendkalimet me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët lokalë kishin bllokuar rrugët me kamionë, duke pamundësuar kështu lëvizjen e automjeteve, e duke detyruar qytetarët të kalojnë në këmbë kufirin.

Megjithatë, rrugët pritet të lirohen sot, sipas marrëveshjes që është arritur para dy ditësh në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Ku marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.

Me gjithë zhvillimet që kanë ndodhur për gjatë kësaj kohe, sot situata raportohet të jetë e qetë në Jarinjë dhe Bërnjak. Qysh në orët e hershme të mëngjesit, ushtarët e KFOR-it kanë filluar të vendosen e të bëjnë patrullime në vendkalimet kufitare, gjithashtu në vendkalimet kufitare janë ende Njësia Speciale e Kosovës. Këta të fundit, janë deklaruar se largohen nga vendkalimet kufitare vetëm atëherë kur serbët të lirojnë plotësisht rrugët, shkruan Telegrafi, përcjell GazetaBlic.

Deri tani, serbët kanë liruar një korsi të rrugës, duke vendosur të gjithë kamionët në njërën anë. Madje, disa prej tyre edhe janë nisur drejt Serbisë.

Për situatën në veri është deklaruar edhe KFORI.

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO njofton se ka filluar të ndërmarrë hapa në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes së fundit mbi shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe rrugën për të ecur para, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE.

Në komunikatën për media thuhet se në përgjigje të zhvillimeve në Kosovën veriore ditët e fundit, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO tashmë kishte shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokadat e rrugëve dhe kishte vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Nga kjo fundjavë dhe për dy javët e ardhshme, KFOR-i do të ketë një prani të përkohshme, të fuqishme, dhe të shkathët në atë zonë, në përputhje me marrëveshjen e lartpërmendur, dhe në përputhje me mandatin e tij që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të qetë, të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga KFOR-i.

Pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë:

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.