Astrit Selmani është njëri ndër emrat më të mëdhenj të viteve të fundit i cili ka pranuar që ta veshë fanellën e Kosovës.
Sulmuesi kosovar që po shkëlqen në futbollin suedez, është bashkuar me “Dardanët” që një kohë të gjatë, por ende nuk e ka luajtur asnjë minutë në ndeshje zyrtare, shkruan GazetaBlic Sport.
Por në tri ndeshjet e muajit shtator, ndaj Gjeorgjisë (0-1), Greqisë (1-1) dhe Spanjës (0-2), sulmuesi mbeti në bankën rezervë duke mos luajtur fare dhe për këtë gjë kishte shumë komente të ndryshme kritike ndaj trajnerit Challandes.
Megjithatë, arsyeja se pse ai nuk kishte luajtur në asnjërën nga këto ndeshje qëndronte tek fakti se ai nuk ishte pajiusr ende me pasaportë të Kosovës, kjo për shkak të disa procedurave byrokratike.

Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, në një prononocim për GazetaBlic Sport e ka konfirmuar se tashmë Selmani ka pasaportë dhe se është gati për debutimin e madh me kombëtaren tonë.
“Astrit Selmani është tashmë zyrtarisht i pajisur me pasaportën e Kosovës dhe është gati për debutim në ndeshjet zyrtare. Të gjitha procedurat janë përfunduar“, tha Sahiti për ‘GazetaBlic Sport’.

Selmani është pjesë e listës së kombëtares tonë për ndeshjet e muajit tetor dhe tashmë pritet të jetë një ndihmë e madhe në fushë.
/GazetaBlic Sport/


