Gjilani fitoi derbin ndaj Dritës në xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës. Klubi i Ismet Munishit ka triumfuar ndaj klubit të Nuhiut me rezultatin 0:2, me golat që u shënuan nga Progni dhe Kelmendi.
Trajnerit kosovar, Granit Begolli nuk i ka lënë ndonjë shije të mirë ky derbi, pasi sipas tij nuk kishte asgjë në fushë dhe ajo çfarë ndodhi mes Intelektualëve dhe Skifterave ishte turp i madh, shkruan GazetaBlic Sport.
Në emisionin “Ekipi A”, Begolli i tha përfaqësuesit të Skifterave se këtij derbi i bëjnë shumë reklamë – por asgjë nuk po dhurohet në fushë, pasi nuk po shohim futboll atraktiv.
“Në Gjilan shumica atje i bëni reklamë shumë më të madhe këtij dueli se çka jepni në fushë. Mendoni që veç derbi Drita-Gjilani, se këtu në Superligë nuk luhet futbolli”, tha fillimisht Begolli.
“Tre muaj përpara filloni të merreni me derbin Drita-Gjilani, kur vjen loja kurgjo nuk shohim hiç. Ne mburremi qe disa vite me paraqitjen fantasike të Skifterave dhe Intelektualëve, por shumë tituj të gazetave raportojnë kështu: “Paraqitje shumë e mirë në tribuna, por lojë shumë e zbehtë në fushë.”
“Edhe sot, ishte skandaloze, përtej fushës, sot ishte turp i futbollit të Gjilanit se çka ka ndodhë. Kjo çka kanë bo tifozët është turp”, tha dje trajneri i Vëllaznimit, Granit Begolli.
/GazetaBlic Sport


