Në Kosovë po vazhdon procesi i vaksinimit kundër Covid-19 dhe vazhdimisht po bëhet thirrje që qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi, derisa numri i të infektuarve me këtë virus çdo ditë po shënon rekord të ri.
Aktualisht në sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinim, nuk ka termine të lira.
Por, nga kjo ministri i kanë thënë lajmi.net se ka vaksina në dispozicion dhe se së shpejti pritet të vijnë të tjera.
“Kosova ka në dispozicion vaksinë për çdo qytetar që shpreh dhe duhet vaksinuar. Çdo javë merren vaksina nga kontrata dhe donatorët dhe do të ketë së shpejti edhe donacione të reja”, kanë thënë nga MSH-ja.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, procesit të vaksinimit i janë përgjigjur qytetarët e të gjitha komuniteteve në vend.
“Në Kosovë ka të vaksinuar nga të gjitha komunitetet dhe të vaksinuarit asnjë sistem nuk i ndanë sipas etnive që u përkasin, por vaksinohen e regjistrohen si qytetarë të Kosovës apo qytetarë me leje të rregulluar qëndrimi në Kosove”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për lajmi.net.
Ndërkaq, gjatë 24 orëve e fundit janë dhënë 17 mijë e 986 doza të vaksinës kundër COVID-19, derisa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 539 mijë e 752 doza të vaksinës. Në total në Kosovë 183 mijë e 240 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19.
Derisa vaksinimi po vazhdon, vetëm gjatë tri ditëve të fundit në Kosovë janë shënuar 2459 raste të reja me koronavirus dhe 5 vdekje, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme janë shënuar 1006 raste.


