Djali i ish-futbollistit gjerman, Michael Ballack ka vdekur gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes.
Emilio Ballack, 18 vjeç, u përfshi në një aksident me motor në ora 2:10 të mëngjesit, pranë godinës së Villas do Mar, përcjell GazetaBlic Sport.
Një aksident që ka ndodhur në pronat e familjes Ballack në Portugali, sipas informacioneve të policisë.
Ngjarja ka ndodhur në Troia, një lokalitet në jug të Lisbonës, ku familja Ballack kishte një vilë.
“Aksidenti ndodhi brenda pronës së familjes. Personi që drejtonte këtë kuad nuk gjendej në një rrugë publike dhe ishte i vetmi mjet i përfshirë në aksident”, janë fjalët e policit Horge Santos për “Daily Mail”, duke treguar detajet e ngjarjes së rëndë.
Emilio Ballack mendohet se po bënte xhiro në terrenin brenda territorit të pronës, kur mjeti është përmbysur duke e zënë poshtë atë. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, rreth orës 2:00. Edhe pse mjetet e zjarrfikësve si dhe ambulancat e specializuara ishin me shpejtësi në vendngjarje, ata nuk arritën që të mbanin në jetë adoleshentin, i cili u shpall i vdekur në vend.


