Lajme

Hoxha nga Prishtina: Hyjmë në gjynah nëse s’e marrim vaksinën kundër COVID-19

08/04/2021 19:46
nga:M K

Teologu Fitim Flugaj ka thënë se besimtarët myslimanë kanë përgjegjësi për ruajtjen e shëndetit publik dhe bëjnë gjynah po e rrezikuan atë.

Në bazë të kësaj, ai thotë se mosmarrja e vaksinës kundër COVID-19 është një mëkat, meqë besimtarët janë të udhëzuar që të ndërmarrin preventiva në raste kur ka rrezik të shëndetit, qoftë personal apo kolektiv.

“I dërguari thotë se gjithmonë preventiva është ilaçi më i mirë. Ne faktikisht këtë vaksinë e marrim në shenjë preventive. Duam të parandalojmë një epidemi që ka bërë edhe efektin e vet dhe ka marrë mjaft shpirtra. Ne do të hyjmë në gjynah nëse nuk i përgjigjemi dhe s’i marrim shkaqet. Marrja e shkaqeve do të thotë të marrësh vaksinën dhe të ruash shëndetin publik dhe në kuadër të tij ruhet edhe ai personal. Në këtë drejtim ne kemi përgjegjësi. I dërguari thotë se secili jeni një kujdestar dhe secili kujdestar do të përgjigjet për atë që i ofrohet nën kujdesin e tij. Në këtë rast ne jemi kujdestar për shëndetin tonë, pastaj të familjes dhe për shëndetin e atyre që i kemi afër neve dhe për atë do të japim përgjegjësi. Çdo neglizhencë ndaj përgjegjësisë është gjynah. Faktikisht ne po hymë në gjynah nëse themi “hajt se po ia lëmë Zotit dhe nuk po e marr vaksinën””.

Flugaj në Info Magazine ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës po mundohet që të nxisë vaksinimin te besimtarët dhe se për këtë është ligjëruar në xhamitë e Kosovës, si dhe kanë realizuar një kronikë vetëdijësuese.

Për këtë ai tha se është rritur besimi për të marrë vaksinën dhe se është rritur numri i të vaksinuarve.

“Kemi të bëjmë me disa informata dhe teori konspirative dhe është krijuar një lloj dyshimi që kanë zënë vend në kokat e njerëzve. Frika që është mbjellë është privimi i jetës apo kufizimi i saj, privimi për të qenë prind. Si myslimanë kemi edhe një dilemë dhe pikëpyetje ku bisedohet mbi përbërjen e brendshme të vaksinës se mos ka ndonjë element që është i ndaluar në islam, siç flitet për pjesë që është marrë nga derri e këso. Por, te qarqet islame në Kosovë nuk kemi të bëjmë me ato gjëra. Ne çdo gjë e koordinojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse ata janë bijtë dhe vëllezërit tonë dhe nëse dyshojmë te ata atëherë po krijojmë hendeqe edhe më të mëdha”.

Flugaj ka treguar se shumica e krerëve të BIK-ut janë vaksinuar, përfshirë edhe kryemyftiun.