Lajme

Petkoviq: Në Jarinjë takova qytetarë që iu ndalua hyrja në Kosovë, e njoftova Lajçakun

07/23/2021 16:25
nga:Y I

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën Petar Petkoviq, tha se ka takuar disa qytetarë në Jarinje, të cilëve pretendon se u ishte ndaluar hyrja në Kosovë

Petkoviq deklaron se qytetarët serbë ishin nisur për të vizituar manastiret, por u ndaluan ngase konsiderohen si kërcënim për sigurinë publike dhe shëndetin publik.

“Këtu në Jarinje, takova një autobus të pelegrinëve tanë, besimtarë që ishin nisur për të vizituar ‘manastiret tona’ në Kosovë. Ata u ndaluan të hynin në provincën tonë jugore. Si shpjegim, ata morën një letër mbi të cilën, ndër të tjera, është shkruar se këta njerëz të mrekullueshëm, besimtarë, janë një kërcënim për sigurinë publike dhe shëndetin publik “, deklaroi ai,

Ai ndër të tjera theksoi se “ishte absolutisht e papranueshme dhe se ishte shkelje e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur nga Beogradi dhe Prishtina”.

Petkoviq njoftoi se e kishte lajmëruar Lajçakun lidhur me këtë çështje.

“Në ndërkohë, unë e thirra Lajçak dhe ia përcolla se kjo është një shkelje e pastër e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes”.