Lajme

Gazetari holandez humb jetën nga plagët e marra gjatë atentatit

07/15/2021 21:24
nga:M K

Gazetari holandez Peter De Vries, i cili në 6 korrik u qëllua me armë zjarri në Amsterdam, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Lajmin e bëri me dije familja e gazetarit të kronikës.

64-vjeçari u qëllua në kokë në një rrugë të Amsterdamit pasditen e së martës.

Policia holandeze deklaroi të mërkurën se dy persona u arrestuan pak momente pas atentatit, njëri prej të cilëve rezulton shtetas polak i cili është mbajtur në qeli, ndërsa një i tretë është liruar.

Motivet dhe porositësit e sulmit të armatosur janë ende të paqarta, por De Vries mbulonte çështje që lidhen me krimin e organizuar andaj ka pasur reagime të shumta dhe thirrje për të bërë më shumë për mbrojtjen e gazetarëve, raporton EuroNews.al.

Gazetari është i mirënjohur në Holandë pasi gjatë periudhës 1995-2012 ka drejtuar një emision hulumtues përmes së cilit mundohej të hidhte dritë mbi krimin e organizuar.

Në vitin 2008 ai fitoi çmim Emmy Award për dokumentarët e realizuar mbi zhdukjen e një adoleshenti amerikan në Karaibe.

De Vries njihet gjithashtu për hulumtimin e tij në rastin e pengmarrjes së sipërmarrësit Freddy Heineken në vitin 1983.