UEFA ka filluar një hetim ndaj Kombëtares së Anglisë për ndeshjen gjysmëfinale të zhvilluar mbrëmë kundër Danimarkës.
Institucioni më i madh i futbollit evropian ka nisur hetimin në lidhje me një laser që iu drejtua në fytyrë portierit danez, Kasper Schmeichel gjatë ekzekutimit të penalltisë nga Harry Kane.
Shtëpia e futbollit në Evropë mund ta godasë Anglinë me një gjobë deri në 80 mijë euro për laserin e përdorur nga tifozët e saj.
UEFA gjithashtu ka akuzuar Anglinë për një shqetësim të shkaktuar nga mbështetësit e tyre gjatë himneve kombëtare.
Gjithashtu, “Tre Luanët” akuzohen edhe për fishekzjarre të ndezura në tribunat ku ndodheshin përkrahësit e tyre.
Anglia është kualifikuar në finale për herë të parë në histori të Kampionateve Evropiane, ndërsa atje e pret Italia.


