Lajme

IKD thirrje MSh-së për vaksinim gjithëpërfshirës kundër Covid-19

06/25/2021 16:41
nga:N M

IKD ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinim gjithëpërfshirës kundër Covid-19.

Përmes një njoftimi në Facebook ata kanë theksuar se grupet e margjinalizuara e kanë të vështirë qasjen për aplikim online.

Njoftimi i plotë:

IKD: MSH të kujdeset për një vaksinim gjithëpërfshirës kundër COVID-19
IKD në kuadër të programit qasje në drejtësi ka për qëllim promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë. Në këtë drejtim, IKD që nga fillimi i fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 ka bërë monitorimin e situatës edhe tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në bazë të monitorimit dhe takimeve në teren me qytetarët, IKD ka gjetur se ka mungesë të informimit dhe vetëdijesimit adekuat rreth procesit të vaksinimit tek këto komunitete.

Për më tepër, IKD konsideron që kërkesa për regjistrim në portalin e-Kosova është shpesh e parealizueshme për shumë qytetarë nga grupet e margjinalizuara, për shkak të mungesës së qasjes në internet, telefon, apo kompjuter, vështirësive që një numër i tyre kanë me shkrim dhe lexim, si dhe mungesës së informatave në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Gjithashtu, fakti që institucionet nuk mbajnë statistika se sa persona nga secili komunitet janë vaksinuar, lë hapësirë për një trajtim jo të barabartë të të gjitha komuniteteve në këtë proces.

Institucionet kanë për obligim të arrijnë tek të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe nuk mjafton vetëm plotësimi i standardeve minimale. Një e drejtë, përveç që duhet të jetë e qasshme, duhet të jetë edhe efektive dhe e realizueshme në praktikë.

Mos marrja e masave për rritjen e vaksinimit tek grupet e margjinalizuara thellon pa-barazitë shoqërore dhe vendosë në rrezik shëndetin e këtyre qytetarëve.

Andaj, IKD i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për një proces gjithëpërfshirës të vaksinimit kundër Covid-19, duke ndërtuar mekanizmat përkatës që gjatë këtij procesi të mos krijohen pabarazi mes komuniteteve dhe të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve të asnjë komuniteti.

Abelard Tahiri: Angazhimi kryesor i qeverisë kanë qenë punësimet familjare