Lajme

U raportua se u zgjodh dekan i dënuari me burg, flet Avdullah Robaj: Nuk jam i dënuar, këto janë shpifje për çështje xhelozie

06/24/2021 12:34
nga:M K

Pas raportimit të mediave se Abdullah Robaj, i dënuar me burg u zgjodh dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës, “Haxhi Zeka”, ky i fundit ka folur për Gazeta Blic.

Robaj, në një prononcim për GazetaBlic i mohoi këto akuza, duke thënë se vetëm një vit më vonë, Gjykata e Apelit e kishte shpallur akuzë të kundërligjshme, atë ndaj tij.

Tutje, ai shtoi se si profesor i asocuar ka plotësuar kushtet për Dekan në Pejë, aty ku edhe e ushtron tanimë profesionin e profesorit tani e gjashtë vite.

“Këto krejt janë shpifje të personave për çështje xhelozie. Ende është klani i pronto-mafisë aty, përfundim e sipër të zhdukjes. Kurrfarë reagime s’ka pasë, procesi ka shku në rregull. Unë kam qenë jashtë procesit, nuk kam qenë në proces. Votimi ka qenë i rregull. Sa i përket akuzave se jam mbështetës i VV-së duhet ta faktoni”, tha fillimisht Robaj.

Ndërkaq, sa i përket akuzave se ka qenë i dënuar gishtin e drejton nga Kolë Krasniqi, që sipas Robajt e ka vërejtjen e fundit për largim nga puna.

“Këto akuza janë çështje të ulëta me të cilat as nuk dua të merrem. Unë i pashë disa reagime dje. Të gjitha këto po i bën Kolë Krasniqi, i cili e ka vërejtjen e fundit për largim nga puna. Sa i përket zërave se kam qenë i dënuar, nuk qëndrojnë. Më 2011 e kam pasur një aktakuzë, e cila është hudh poshtë një vit më vonë nga Gjykata e Apelit. Pra, katër vjet pas mbylljes së çështjes, unë kam filluar punën në Universitetin e Pejës, teksa kësaj radhe shfrytëzova rastin dhe duke qenë i bindur në profesionalizmin tim, aplikova për pozitën e dekanit, ku pastaj gjithçka ka shkuar sipas procedurave, ku edhe i kam marrë votat. Për të marrë këtë pozitë është dashur të kalohet nëpër këshill të fakultetit, këshill të studimeve, senat e të tjera”, vazhdoi ai.

Në fund fare, Robaj foli edhe procesin ku edhe mori votat e senatorëve të këtij fakulteti.

“Unë jam qe gjashtë vite profesor, ndërsa tani jam zgjedhur dekan. Për t’u zgjedhur në këtë pozitë, duhet të jeni profesor i asocuar. Kemi qenë dy profesorë më këtë gradë, por që ai tjetri nuk mori votat, kështu që gjithçka ka qenë e rregullt”, përfundoi Robaj.

Në anën tjetër, rektori i Universitetit, Fadil Millaku, gjithashtu tha se sa i përket dijenisë së tij, çështja e aktakuzës ndaj Robajt është mbyllur disa vite para se ai të fillojë punën e profesorit në Pejë.

Gjithashtu, Millaku për GazetaBlic, tha se Robaj nuk kishte asnjë vërejtje si profesor, madje kishte vlerësime edhe nga studentët për punën e tij të mirë.

“E para, dekanin e votojnë senatorët. Pra me vota, ai nuk emërohet por zgjedhet. Madje, sa për informatë rektori nuk ka marrë fare pjesë në mbledhje. Dhe e dyta, unë e di që gjykata për ato aktakuza e ka shpallë të pafajshëm. Njeriu mund të ketë aktakuzë, por gjykata ta shpallë të pafajshëm. Ka qenë aktakuzë, e di, por në bazë të asaj që unë kam informata, ajo çështje ka qenë e mbyllur. Por, gjithashtu si profesor, nuk ka asnjë vërejtje për të, teksa nga ana e studentëve ka pasur gjithmonë vlerësime të mira. Pra, fakulteti juridik e ka propozu vetëm këtë, ndërsa senati e ka miratu”, përfundoi Millaku.

/GazetaBlic/

I dënuari me burgim, zgjedhet dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”