Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë paralajmëruar që do të iniciojnë projektligjin për faljen e borxheve të qytetarëve dhe të bizneseve, kjo edhe pas mos votimit të rezolutës të propozuar në Kuvend për këtë çështje.
Deputeti i kësaj partie Pal Lekaj ka theksuar se pas dështimit të votimit të rezolutës, është më e vështirë miratimi i këtij ligji, duke thënë se Qeverisë Kurti nuk po i intereson qytetari por interesat e saj politike.
“Sa i përket inicimit të nismës ligjore mendoj se është e drejtë e çdo grupi parlamentar dhe e deputetëve që të nisin nisma të tilla ligjore. Mirëpo, nëse bazohemi në rezolutën që nuk është miratuar e kemi shumë të vështirë që ta kalojmë edhe ligjin. Qeverisë aktuale nuk po i intereson qytetari, por më tepër po bëjnë politikë sesa të merren me qytetarët. Ajo që ne e kemi parë të drejtë është të kërkojmë amnisti për borxhet gjatë pandemisë. Si përfundim ne si AAK do të iniciojmë ligjin që i amniston borxhet”, ka thënë Lekaj në një intervistë për EO.
Mbështetjen e opozitës, ai e cilëson si diçka unike, por sipas tij faji kryesor mbetet prapë te pozita duke shpresuar që të ndryshojnë lidhur me këtë çështje.


